Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Pingpong” Prokurori – Gjykatë rreth “veteranëve të rrejshëm”

Pak ditë para se të bëhet një muaj qëkur Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në gjykatë aktakuzën për “veteranët e rrejshëm”, kjo e fundit ka vendosur që këtë aktakuzë t’ia kthejë prokurorisë, duke kërkuar plotësim dhe sqarim, raporton KTV.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se arsyeja e kthimit të aktakuzës, sipas kryetares së trupit gjykues, bie për shkak se diapozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi.

Neni 241, përkatësisht paragrafi i parë, pika 1.4 e Kodit të Procedurës Penale, thotë se aktakuza duhet të përmbajë kohën dhe vendin e kryerjes së veprës penale, objektin në të cilin është kryer dhe mjetin me të cilin është kryer vepra penale, si dhe rrethanat tjera të nevojshme për të përcaktuar me saktësi veprën penale.

Vendimi i gjykatës themelore që këtë aktakuzë ta rikthejë për plotësim, vjen vetëm një ditë pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi, takoi drejtuesit e OVL të UÇK-së, të cilët kërkuan nga ai që ta rikthejë këtë proces në pikën zero.

Aktakuza për veteranët e rrejshëm më 14 shtator të këtij viti i ishte dorëzuar me disa ndryshime Gjykatës Themelore në Prishtinë.