Arbëri

Pika e transferimit të mbeturinave në Drenas shndërrohet në deponi

Opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kritikuar Komunën e Drenasit dhe kompaninë “Pastrimi” për mosmirëmbajtjen e hapësirës që zyrtarisht njihet si pikë transferimi për mbeturina ditore. Ata thonë se kjo zonë është shndërruar në deponi, duke rrezikuar mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. Në Komunën e Drenasit kanë thënë se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të adresuar këtë problem

Opozita e shoqëria civile në Drenas kanë ngritur alarmin se një pikë e transferimit të mbeturinave në këtë komunë është shndërruar në deponi. 

Për këtë është fajësuar Komuna dhe ndërmarrja rajonale “Pastrimi”.

Arben Nika, drejtor i organizatës CEDE në Drenas, ka theksuar se kjo pikë transferi deri në vitin 2016 ka qenë model i funksionimit, ndërsa tash ka tejkaluar çdo kapacitet me sasinë e bërllokut që ka.

“Vetë fjala transfer-stacion nënkupton mbeturina ditore, më së shumti dy deri në tri ditë. Aty i kanë kontejnerët që duhet të mbushen dhe të barten në deponinë sanitare në Mirashë. Mirëpo, aty jo vetëm kontejnerët, po përveç hapësirës që është mbushur në kontejnerë, ka dalë edhe përtej rrethojave të deponisë, e që është shumë e rrezikshme”, ka thënë Nika të hënën.

Ndërsa kryetari i iniciativës “Green për Drenasin”, Xhavit Drenori, ka thënë se përpos rrezikut që e sjell prania e këtyre mbeturinave në shëndetin e qytetarëve, shkaktohet edhe ndotja e ujit në lumin “Drenica”.

“Fatkeqësisht kjo është shndërruar në një deponi shumicën e rasteve, ku ka mbledhje të mbeturinave në sasi aq të madhe, sa ka dalë edhe jashtë kontrollit. Fatkeqësia më e madhe është se ky pikë transfer qëndron në një lartësi më të madhe mbidetare sesa rrjedha e lumit dhe shumica e  ndotjeve, së bashku me shirat përfundojnë në lumin Drenica”, ka deklaruar Drenori.

Ata kërkojnë nga Komuna e Drenasit dhe kompania “Pastrimi” që të ndërmerren hapa për ta përmirësuar gjendjen e krijuar me mbeturina. 

Në Drejtorinë për Shërbime Publike në Drenas, përmes një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të adresuar problemin. 

“Hapësira afër Ferronikelit është pronë komunale dhe shfrytëzohet me leje nga kompania ”Pastrimi” si pikë transferi për mbeturina. Çështjet që lidhen me funksionimin dhe menaxhimin e kësaj pike janë përgjegjësi e KRM “Pastrimi”, ndaj për detaje specifike ju sugjerojmë të drejtoheni te kjo kompani. Komuna e Drenasit, në vazhdimësi, monitoron të gjitha deponitë në territorin e saj, përfshirë edhe këtë pikë transferimi. Jemi në kontakt të rregullt me menaxhmentin e kompanisë për të adresuar shqetësimet e qytetarëve dhe për të kërkuar përmirësime në menaxhimin e mbeturinave. Edhe në këtë rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme përmes komunikimit institucional për të adresuar gjendjen dhe për të kërkuar veprime konkrete në terren”, thuhet në përgjigje.

KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kompania “Pastrimi”, por zyrtarët e saj kanë qenë të paqasshëm gjatë ditës së hënë.