Drejtorit të zyrës serbe për Kosovë, Petar Petkoviqit, i është lejuar hyrja në Kosovë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Përmes njoftimit, MPJD-ja thotë se Petkoviqi do qëndrojë në Kosovë më 16-17 mars derisa kërkesa është bazuar në Marrëveshja për vizitat zyrtare e nënshkruar në Bruksel më 2014.
“MPJD e Republikës së Kosovës kërkon që gjatë kësaj vizite të respektohet protokolli dhe agjenda nga ana e z. Petkoviq, si dhe të përmbahet nga deklaratat politike, gjuha nxitëse dhe nga retorikat kundër shtetit të Kosovës. Mosrespektimi i agjendës dhe deklaratat politike kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës do të ndikojnë në refuzimin e vizitave të tjera nga Serbia”, thuhet në njoftim.
Petar Petkoviqit i ishte ndaluar hyrja në janar të këtij viti nga MPJD-ja nën arsyetimin se ka treguar sjellje destruktive.