Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Petkoviq: Ndërkombëtarët kanë garantuar se serbët mund të shkojnë në Kosovë për të votuar

Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se serbët e zhvendosur do të mund të udhëtojnë me autobusë për në Kosovë për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Nga ana e komunitetit ndërkombëtar, Beogradi mbrëmë mori një garanci të qartë dhe të fortë se nuk do të ketë asnjë ndryshim në procedurat ekzistuese për hyrjen e serbëve të zhvendosur brenda vendit për të votuar dhe se do t'u mundësohet që pa pengesa, pa ndalime dhe pa shqetësime të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, ka thënë Petkoviq, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ai shtoi gjithashtu se partnerët ndërkombëtarë i konfirmuan Beogradit se përfaqësuesit e tyre do të jenë të pranishëm të dielën e 9 shkurtit në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë për të siguruar hyrjen e serbëve në Kosovë për të votuar.

KOHA ka raportuar dje se autobusët që transportojnë votues të organizuar pa u pajisur paraprakisht me leje nuk do t’iu lejohet hyrja, përveç nëse janë pjesë e linjave të rregullta ose nëse kërkojnë leje nga institucionet përkatëse si dhe mund të hyjnë vetëm transportuesit që kanë linja të regjistruara për transport ndërkombëtar.

Në Ministrinë e Infrastrukturës treguan se deri tash nuk është kërkuar asnjë leje për të organizuar transport të votuesve në Kosovë e në Polici patën thënë se do t’u lejojnë hyrjen vetëm atyre autobusëve që posedojnë autorizim për linjat apo që shkojnë përmes rregullave të INTER BUS.

Edhe Serbia tenton të ndikojë te vota serbe në Kosovë para zgjedhjeve parlamentare Arbëri Serbia tenton të ndikojë te vota serbe në Kosovë para zgjedhjeve parlamentare

Kosova mban zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt dhe të drejtë vote kanë mbi 2 milionë votues brenda dhe jashtë vendit.

Në garë për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.