Arbëri

Pesë shkolla në Komunën e Vitisë po e zhvillojnë mësimin online

Pesë shkolla në komunën e Vitisë janë duke zhvilluar procesin mësimor në skenarin C, ka bërë të ditur Fatnardha Emini, drejtoreshë e Arsimit në këtë komunë.

Emini ka bërë të ditur në emisionin “SOT” të KTV-së, se kjo komunë ka udhëzuar testimin e të gjitha shkollave, duke parë numrin në rritje të rasteve ndër nxënës dhe mësimdhënës.

“Ne në takimin e fundit që kishim me Task-Forcën e DKA-së , u tha që numri i të infektuarve në institucionet arsimore është duke u rritur nga dita në ditë, prandaj vendosëm t’i rekomandojmë QKMF-së që të bëjë teste në ato institucione arsimore ku paraprakisht kemi të dyshuar se ka të infektuar. Krejt me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtutjeshme të virusit. Deri më tani kemi vizituar 8 shkolla, ku janë bërë mbi 1,500 teste, nga këto teste tregojnë të dhënat se virusi është i pranishëm në institucione arsimore, por jo për të bërë panik por për të respektuar masat”, është shprehur ajo.

Sipas Eminit, aktualisht në shkollat e kësaj komune janë të infektuar 214 nxënës e 40 mësimdhënës.

“Ne për momentin kemi aktualisht 214 nxënës të infektuar, 40 mësimdhënës të infektuar. Meqë nxënësit janë të infektuar, dhe bie rasti që dikush nga mësimdhënësit të jetë edhe prindërit e tyre, kemi 29 mësimdhënës në izolim e 39 nxënës po ashtu. Kjo po e vështirëson mbarëvajtjen e rregullt, por ne edhe sot kemi paraparë që të testohen edhe 3 shkolla dhe pastaj të bëjmë një plan tjetër konkret se si të vazhdojmë më tutje. Për momentin kemi 5 shkolla që janë online. 2 janë shtuar nga sot”, ka shtuar Emini.

Vetëm në 24 orët e fundit, në Kosovë janë shënuar 2,243 raste të reja me COVID-19. Nga kjo shifër, 513 të prekur janë të grumpmoshës 10-19 vjeç.