Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar të dielen ndaj përzgjedhjes të cilën e ka quajtur diskriminuese, të testimeve për koronavirus.
Sipas KMDLNJ-së, kjo përzgjedhje po shkakton rritjen e numrit të prekurve me COVID-19, duke e quajtur të papranueshme.
“KMDLNj mendon se pikërisht përzgjedhja diskriminuese, e jo në bazë të nevojës së domosdoshme për testim, ka shkaktuar dhe po shkakton rritjen e numrit të të prekurve sikur edhe rritjen e numrit që po përfundon me fatalitet andaj kërkon transparencë dhe monitorim të këtij procesi si dhe qasje në lista, nëse ka të tilla, pas së cilave ndërmerren veprimet. Qytetarët e Kosovës, shumica e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë testet prandaj këto duhet të sigurohen falas përjashtuar ata që e kanë këtë mundësi”, shkruhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Ajo në të njëjtën kohë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndajë mjete shtesë për këtë qëllim sikur edhe për punëtoret shëndetësorë.