Arbëri

Përurohet salla e sporteve në shkollën “Ramë Bllaca” në Bllacë të Suharekës

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në përurimin e sallës së sporteve në shkollën fillore “Ramë Bllaca”, në Bllacë të Suharekës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Bytyqi me këtë rast theksoi se, kjo sallë ia shton vlerën kësaj shkolle e cila mbanë emrin e një veprimtari të shquar siç është Ramë Bllaca, por edhe është dëshmuar për rezultate.

Ai ka folur edhe për bashkëpunimin e mirë të nivelit qendror me atë komunal, sa i përket realizmit të projekteve, të cilat kanë për qëllim krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin e talentit të të rinjve tanë.

“Padyshim që përtej përgatitjes dhe rëndësisë që ka ana edukative, është po aq e rëndësishme edhe pjesa rekreative, e cila po mundësohet me rastin e përurimit të kësaj salle. Si qytetarë të Kosovës, e kemi dëshmuar që jemi të talentuar, sidomos në sport, prandaj kjo na obligon që t’u krijojmë kushte të rinjve tanë për të zhvilluar talentin e tyre. Padyshim, talente të tilla do të dalin edhe nga kjo shkollë”, ka thënë Bytyqi.