Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përurohet objekti i banimit social në Stantërg të Mitrovicës

Është përuruar objekti i banimit social në Stantërg të Mitrovicës i cili do të shërbejë për 17 familje me kushte të rënda sociale. Objekti është financuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kap shumën prej 294 mijë euro, ndërkaq Komuna e Mitrovicës ka ndarë parcelën dhe do të bëjë shpërndarjen e këtyre banesave për 17 familje.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli si dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, tha se ndihet i lumtur që sot këto 17 familje përfituese nuk do të jenë më jashtë, por do të kenë një kulm mbi kokë dhe do të gjejnë sërish ngrohtësinë e shtëpisë, që iu ka munguar për shumë vite.

Veseli, u premtoi familjeve përfituese se 50 për qind të kuzhinave do t’ua mobilojë ai përmes donatorëve, ndërsa pjesën tjetër përmes institucioneve. Veseli tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse familjet kanë nevojë për strehim. Ai shtoi se nuk duhet të lejohet që familjet të jetojnë në kushte të vështira.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri tha se komuna ka formuar komisionin adekuat që do të shqyrtojë kërkesat për strehim dhe se brenda dy jave, përfituesit do t’i marrin çelësat.​

Artikuj të ngjashëm