Arbëri

Perteshi: Pas sulmit në Banjskë të gjitha kërkesat e Beogradit në dialog bien, edhe Asociacioni

Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka thënë se sulmi në Banjskë i drejtuar dhe organizuar nga Milan Radoiçiq ka qenë i dirigjuar nga shërbimet e sigurisë së Serbisë.

Ai ka thënë se nga Serbia mund të pritet gjithçka. Perteshi ka shtuar se arrestimi i Radoiçiqit është arsyetim i Beogradit para ndërkombëtarëve.

“Kjo është më shumë propagandë apo arsyetim para faktorit ndërkombëtar që të tregojë që Serbia nuk ka qenë prapa sulmit apo grupit të armatosur që e ka sulmuar veriun e Kosovës”, ka thënë ai në Interaktiv.

Perteshi ka theksuar se KFOR-i nuk ka arritur t’i parandalojë individët që të fusin armët në Kosovë dhe të parandalojë sulmin që ndodhi në Banjskë e ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ka disa arsye pse Serbia ka sjellë ushtrinë në kufijtë e vendit. Një prej arsyeve, sepse aty nuk ka qenë e vendosur vetëm ushtria por kësaj radhe ka pasur edhe artileri të rëndë dhe mbrojtje kundërajrore që në bazë të vlerësimeve nuk është vetëm lëvizje e zakonshme apo ushtrime të zakonshme, ka pasur diçka më shumë. Pikëpyetja e parë është që grumbullimi i madh i ushtrisë ka mundur të shërbejë si suportim për grupin e armatosur në veri”, ka deklaruar ai.

Perteshit, sulmi në Banjskë ka qenë humbja më e madhe e Serbisë që prej viteve 90.

Ai ka deklaruar se grupe të sponsorizuara nga Serbia po krijojnë jostabilitet në Ballkan, e se kërkesat e Beogradit në dialog nuk janë më në tavolinë.

“Të gjitha faktet po tregojnë se Beogradi është i involvuar në këtë rast, kështu që çdo kërkesë që e ka pasur Serbia në dialog bien poshtë. Është momentum i ri në dialog dhe Kosova ka legjitimitet më të madh. Sepse tani ke një shtet që ka qenë sponsorizues i terrorizmit. Pas këtij tentim sulmi që i është bë shtetit të Kosovës edhe vetë kërkesa për bashkësinë e komunave serbe bie”.