Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Haki Abazi – Konferencieri

Haki Abazi më nuk është njeriu me pushtet në subjektin politik që qeveris me vendin. Meqë në parti nuk e dëgjojnë dhe as e informojnë, njeriu që drejton Komisionin parlamentar për punë të jashtme gjeti një zgjidhje për t’i shprehur qëndrimet – konferencat e përjavshme të shtypit.

Në të parën Abazi kërkoi largimin e Mimoza Kusari-Lilës nga pozita e shefes së Grupit Parlamentar dhe hapjen e debatit brenda partisë. Më vonë u ankua se po injorohej e anashkalohej nga kryeministri Kurti e nga zëvendëskryeministri Bislimi. Në një tjetër rast u ankua se edhe ekspertizat e strategjitë që ia ofroi Kurtit, u refuzuan e u shpërfillën.

U ankua për sabotim të konferencave të tij, nëpërmjet caktimit të mbledhjeve të komisioneve parlamentare në të njëjtën kohë. E pasi mediat më s’i kushtuan vëmendje, Abazi nisi t’i mbajë konferencat online.

Në njërën nga to përshëndeti kritikat e disa deputetëve të partisë së tij për një projektligj, e edhe përplasjet e tyre me ministrin Liburn Aliu. Në besimin e Abazit kjo shënon rastin e parë të debatit demokratik brendapartiak.

Artikuj të ngjashëm