Ardian Kastrati protestoi në Kuvend kundër Qeverisë e u protestua kundër tij në Universitetin e Prishtinës, aty ku jep mësim dhe ku u konstatua se ka bërë plagjiaturë – hajni intelektuale.
Këshilli i Etikës i UP-së konstatoi plagjiaturën e deputetit të PDK-së dhe ia ndaloi atij për tre vjet mentorimin në të gjitha nivelet e studimeve në universitet. Megjithëkëtë, shoqëria civile protestoi me kërkesën që Kastratit t’i merrej titulli akademik e t’i shkëputej marrëdhënia e punës prej profesori. Por, këtë zë nuk e dëgjoi UP-ja.
Plagjiatura u bë sebep përplasjesh në Kuvend. Ndër më të bujshmet ishte ajo me deputetin e Vetëvendosjes, Dimal Basha. Basha e quajti “vjedhës të shkronjave” e Kastrati ia ktheu me “amebë”, në shenjë thumbimi për notat e dobëta të Bashës në biologji, që i ishin publikuar paraprakisht.
Konfirmimi si plagjiator nuk ia reduktoi krenarinë Kastratit. Ai vazhdoi me performancë proteste në Kuvend, sikur vitin paraprak. Mori vëmendje edhe kur simuloi luajtjen me “violinë”, në kohën kur deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, po mbante një fjalim.