Dëshpërimi i kryetarit Isa Mustafa nga humbja e zgjedhjeve, e si rrjedhojë dorëheqja e tij, ia hapi mundësitë një “rugovasi” të ri. Lumir Abdixhiku mori drejtimin e LDK-së, duke u bërë kështu kryetari më i ri në moshë që kjo parti kishte parë ndonjëherë.
Me të ardhur në pushtet, Abdixhiku bëri veprime që paraardhësi i tij nuk guxoi t`i bënte.
Në Kryesi nuk i la vend Haki Rugovës e Agim Veliut, e këtij të fundit nuk ia besoi as udhëheqjen e degës në Podujevë.
Një frymë të re u tha se e solli me të qëndruar në sallë gjatë votimit të ish-bashkëpartiakes së tij për presidente. Por Abdixhikut fjala për një gjë të tillë nuk iu dëgjua nga të gjithë. E, ndryshe doli të jetë me kandidatët për kryetarë komunash.
Në zgjedhjet lokale pas të dyja raundeve të zhvilluara, LDK-ja u rendit e dyta për nga numri i komunave të fituara, 8 gjithsej, në mesin e të cilave edhe kryeqytetin.