Arbëri

Personalitetet 2021/ Albin Kurti: “Reformatori” i opozitës

U bë kryeministër nën sloganin “Krejt dhe drejt”. Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e drejton, mori rezultat historik. Siguroi krejt pushtetin, pasi mori mbi 50 për qind të votave, dhe kjo bëri që dy partitë kryesore që tash janë në opozitë të kishin rezultatet më të dobëta, që prej themelimit të tyre. Në nëntë muaj qeverisje gjatë këtij viti, Kurti nuk u shqua për ndonjë politikë që la shenjë. Drejtësia dhe punësimi i proklamuar në fushatë nuk kanë dhënë rezultate të dukshme. Nismat ligjore për të parën ka pak gjasa të kalojnë shkaku i mungesës së mbështetjes nga brenda e nga jashtë. Ndërkaq, rritja e shkallës së të punësuarve që ka qenë fare margjinale, i atribuohet kryesisht formalizimit të vendeve të punës, që është nxitur nga masat mbështetëse kundër pasojave të pandemisë.

Në anën tjetër, nuk u qëndroi pas as zotimeve të forta që i kishte dhënë në raport me Serbinë: s’e rivendosi reciprocitetin e premtuar dhe hyri në dialog menjëherë e pa një platformë, ani se bisedimet me Serbinë kishte thënë të mos përbënin prioritet për të.

Mospërmbushja e pritjeve të qytetarëve u vlerësua si faktor kyç në rezultatin zhgënjyes të Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale – partia e kryeministrit nuk arriti ta marrë as gjysmën e votave të 14 shkurtit, kur u organizuan zgjedhjet lokale.

Por shenjë la tek oponentët. Me ta marrë rezultatin e zgjedhjeve, Kurti tha se nuk ka interes të bëjë koalicion me partitë e tjera dhe sugjeroi që ato “të reformohen”.

Dhe, partitë kryesore që i la në opozitë reflektuan. Nëse PDK-ja dhe LDK-ja këtë s’e demonstruan me reforma domethënëse, së paku u bënë me liderë të rinj.