Ka nisur me veprime të dhunshme edhe dita e gjashtë e protestës së studentëve dhe gjimnazistëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Protestuesit kanë shkulur gurët nga trotuari dhe kanë sulmuar autobotin e policisë dhe uniformat blu.
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.
Pas përshkallëzimit të situatës, turma është zhvendosur drejt qendrës së Tiranës, në hyrje të Rrugës së Durrësit, ku efektivët kanë nisur shoqërimet e para.
Edhe sot po bëhet thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë tha më herët sot se është përpjekur të mos bjerë në kurthin e dhunës që kërkon gjak.
Ministria e Arsimit ka marrë masa shtesë sigurie, duke mbyllur dyert dhe dritaret e godinës me dërrasa, pas incidenteve dhe zjarrvënieve të regjistruara gjatë tubimeve.
Ndërkohë, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë pozicionuar pranë institucionit, në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimit të situatës.
Në pesë ditët e protestave, numri i përgjithshëm i të lënduarve ka arritur në 272. Prej tyre, 169 janë punonjës të Policisë, 82 protestues dhe 21 kalimtarë.
Edhe
LIVE: Dita e gjashtë e protestave në Shqipëri
Vetëm të shtunën, 65 persona mbetën të lënduar, ndërkohë sipas informacionit të përditësuar nga Ministria e Shëndetësisë, 37 prej të lënduarve janë pjestarë të Policisë, 24 janë protestues, ndërsa 4 janë kalimtarë, mes tyre edhe një i mitur.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama paraditen e sotme ka deklaruar se është neutralizuar një dron me eksploziv që cak e kishte Kryeministrinë.
Ai ka thënë se nuk ka student që i shkon mendja ta vë në jetë këtë plan, duke shtuar se këtu është një dorë e huaj. Ai ka thënë se pas protestave qëndron edhe dora e huaj, derisa ka përmendur Iranin për implikim. /TopChannel