Komisioni Hetimor Parlamentar, për hetimin e dëbimit të gjashtë turqve po mbahet pa pjesëmarrjen e dy prej krerëve të shtetit, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Pushteti kërkoi që raportimi i Thaçit dhe Haradinajt të hiqet nga rendi i ditës por kjo u kundërshtua nga deputetë të opozitës, çka krijoi edhe përplasje mes tyre.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës pasi asnjëri nga krerët nuk është në Prishtinë.
Lexo edhe: Komisioni Hetimor synon që të hënën të intervistojë Thaçin e Haradinajn për dëbimin e shtetasve turq
Kryetari i Komisionit Xhelal Sveçla ka theksuar se përderisa kryeministri ka treguar arsyet, zyra e presidentit nuk ka dhënë fare arsyet e mungesës, raporton KTV.
“Edhe pse ne jemi në dijeni për vizitën e tij në SHBA”, tha ai.
Deputeti Driton Selmanaj ka theksuar se deri sa pushtetet janë të ndara, rendi i ditës duhet të miratohet i tillë.
Edhe
Mungesa e krerëve shtetërorë përplas pozitë e opozitë në Komisionin hetimor për dëbimin e 6 turqve
Këtu ka reaguar deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili ka theksuar se Komisioni duhet kërkuar falje Ramush Haradinajt pasi ka caktuar Intervistën e tij në ditën e takimit të dy qeverive.
Edhe Hajdar Beqaj e ka cilësuar tendencë për të mashtruar opinion publik këtë takim pasi agjendat e krerëve kanë qenë publike shumë kohë më parë.
Komisioni ka rrëzuar kërkesën e Musliut për të hequr nga rendi i ditës raportimin e Thaçit dhe Haradinajt.
Në fund, Ganimete Musliu dhe Muharrem Nitaj e kanë lëshuar takimin në shenjë proteste.
Edhe
Krejt çka tha Haradinaj para Komisionit Hetimor për dëbimin e gjashtë shtetasve turq
Mbledhja është shtyrë pas një përplasje me fjalë për presidentin, mes Xhelal Sveçlës të VV-së dhe deputetit të PDK-së Hajdar Beqaj.
Kujtojmë se 6 shtetasit turq ishin dëbuar nga Kosova më 29 mars të këtij viti, por se Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shpallur të parrezikshëm për vendin dy nga gjashtë prej tyre.