Një pjesë e opozitës dhe pushtetit janë përplasur të mërkurën në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, raporton KTV.
Gjithë mbledhja u fokusua për mënyrën e përzgjedhjes së sekretarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për të cilën ishte ankuar edhe Ambasada Britanike. Ministri i këtij dikasteri, përpos që akuzoi mediat që raportuan për këto shkelje, akuzoi edhe dy paraardhëset e tij, Hykmete Bajramin dhe Mimoza Kusari-Lilën, se e kanë mbushur ministrinë me militantët e tyre.Akuzat e tilla ngjallën reagimin e dy deputetëve nga opozita, që para Hasanit e kishin drejtuar këtë ministri. Madje, pas akuzave të shumta, e lëshuan edhe mbledhjen.
Kundër dy ish-ministreve të MTI-së ishin deputetët e partive në pushtet.
Debat i gjatë është mbajtur edhe rreth vendimit të qeverisë që Pallati i Rinisë të kalojë në menaxhim të komunës, por megjithëse kryetarja e komisionit kërkonte më shumë informata rreth kësaj çështjeje, duke e shtyrë mosvotimin që i njëjti të shkonte për diskutim në kuvend, ajo u mbivotua.Në mungesë kuorumi, nuk munden të shqyrtohen projektligji për produkte të ndërtimit, ai për mbrojtjen e konsumatorit dhe ai për masat mbrojtëse në importe.