Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përplasja për çnjohjet

Pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se janë siguruar nëntë çnjohje të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se pretendimet nuk janë vërtetuar. E, ish-kryeministri Avdullah Hoti – i cili pati firmosur zotimin me Vuçiqin për moratoriumin rreth lobimit për njohje – ka ironizuar me Kurtin, duke e pyetur se si erdhi puna që të gëzohemi vetëm se nuk ka çnjohje të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës kanë polemizuar në distancë, pas deklarimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se ka siguruar çnjohjen e shtetit të Kosovës nga nëntë vende.

Kurti ka mohuar raportet për çnjohje, të cilat janë bërë nga Serbia.

“Mua më duket që më shumë janë përpjekje e Beogradit që në një situatë ku kanë humbur përkrahjet e demokracive perëndimore, të përpiqen të tregohen të suksesshëm me luftën e tyre, agresivitetin e tyre në arenën ndërkombëtare diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Deri sot asnjëri prej pretendimeve që e kanë thënë në Beograd, konkretisht presidenti i Serbisë, nuk është vërtetuar nga Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht nga shërbimi jonë i jashtëm”, ka thënë kryeministri Kurti. “Pra, nuk ekziston asnjë prej atyre pretendimeve”.

Presidenti serb ka shprehur pretendimin se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. E ka thënë këtë, pasi Kosova ka deponuar aplikimin për anëtarësim në BE, ngjarje që, sipas Vuçiqit, shënon tërheqjen nga marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë, me të cilën ishte shpallur moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare e edhe për fushatën e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.

“Kemi nëntë (vende) që kanë tërhequr njohjen: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Maldivet, Shën Lucia”, ka thënë Vuçiq. “Ne jemi duke pritur për të dhjetin”.

Edhe Vuçiq vazhdon ta vuajë që Mali i Zi e ka pranuar pavarësinë e Kosovës Arbëri 1 muaj më parë Vuçiq vazhdon ta vuajë që Mali i Zi e ka pranuar pavarësinë e Kosovës

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në cilësinë e kryeministrit pati firmosur në emër të Kosovës zotimin për moratoriumin. Të njëjtën ditë ishte siguruar edhe njohja nga Izraeli.

Hoti ka thënë se kur bashkëpunohej me partnerët, njohjet vinin direkt nga Shtëpia e Bardhë.

“Si erdhi puna që të gëzohemi vetëm se nuk ka çnjohje të Kosovës?! Kur bashkëpunonim me partnerët na vinin njohjet direkt nga Shtëpia e Bardhë. Tani po iu tregojmë atyre se jemi sovranë dhe po e ushtrojmë sovranitetin edhe në veri. Vendimet po i marrim vetë si shtet sovran që jemi, por njohjet nuk po vijnë. Çudi!”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Njohja nga Izraeli është e fundit që Kosova e ka pranuar. Ato u reduktuan prej 2011-s kur Kosova ka nisur dialogun me Serbinë dhe njohësit kanë theksuar se procesi bëri që vendet ta presin marrëveshjen, para se të vendosin për njohjen.

Plani franko-gjerman, mbi bazën e të cilit pritet të zhvillohet faza e re e dialogut, nuk parasheh njohje reciproke, por kërkon nga Serbia të mos e pengojë Kosovën në asnjë proces anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Serbia është e interesuar që të bllokojë suksesin në dialog dhe t’i arrijë qëllimet e saj me dhunë dhe nëpërmjet bandave kriminale.

Në një komunikatë për media të Zyrës së Presidencës thuhet se Osmani këto komente i ka bërë në taksimin që ka zhvilluar të premten me deputetin britanik David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe Kurti për dialogun: Pa u dorëzuar Radoiçiqi e tërhequr letra e Bërnabiqit s’ka takim të nivelit të lartë Arbëri 2 muaj më parë Kurti për dialogun: Pa u dorëzuar Radoiçiqi e tërhequr letra e Bërnabiqit s’ka takim të nivelit të lartë

“Presidentja theksoi se Kosova, si një sukses i përbashkët i popullit të saj dhe aleatëve ndërkombëtarë, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sikurse edhe të sundimit të rendit dhe ligjit”, thuhet në komunikatë. “Por, siç potencoi presidentja Osmani, interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale”.

Faza e re e dialogut pritet të nisë këtë muaj dhe për t’i dhënë shtytje atij, javën e ardhshme pritet ta vizitojnë Kosovën emisarë evropianë e amerikanë, e edhe këshilltarë të kancelarit gjerman dhe presidentit francez.