Vazhdimi i 38-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi që partitë politike janë pajtuar që ta vazhdojnë ata pas takimit që për të shtunën e ka thirrur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Kryesuari i seancës, Avni Dehari, ka thënë se kjo pajtueshmëri është arritur në takim konsultativ të cilin ai e ka thirrur para fillimit të seancës të premten.
Tahiri: I bëjmë thirrje Vetëvendosjes që të reflektojë
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, pas ndërprerjes së seancës konstituive ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i bëjnë thirrje Vetëvendosjes që të reflektojë, siç është shprehur ai, mbi sjelljen e saj në Kuvendin e Kosovës, sa i përket konstituimit.
“I bëjmë thirrje Vetëvendosjes që të reflektojë, është e qartë që gjatë kësaj periudhe është abuzuar me rregullat parlamentare nga kryesuesi i seancës duke na e imponuar në mënyrë jokushtetuse vendimin për komisionin për votim të fshehur”, është shprehur Tahiri.
Ndërkohë që deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se të gjitha seancat e mëhershme kanë qenë joskushtetuse. “E ato janë udhëhequr nga Vetëvendosja”, ka deklaruar ai.
Sipas tij votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Kushtetuesja e ka shpallur antikushtetues.
Ai ka thënë se PDK-ja do të shkojë në takimin e thirrur nga Kurti për të shtunën në orën 16:00.
“Kryetari Krasniqi do ta përfaqësojë PDK-në nesër në takim dhe qëndrimet pas tij i shpreh ai”, ka deklaruar Gruda.
LDK-ja i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit, Bajrami: Nuk presim diçka nga takimi
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të gjitha partitë.
Por, ajo ka shtuar se nuk presin rezultate pozitive nga ky takim.
“LDK do të marrë pjesë nesër në takim pavarësisht mungesës së bashkëpunimit të VV. Nuk është se mund të presim diçka nga ky takim, është më shumë për shou mediatik”, ka thënë ajo në konferencë pas ndërpres së seancës konstituive.
Bajrami u shpreh se deputetët e LDK-së do të votojnë vetëm kur në votim të hedhet emri i kandidates për kryeparlamentare.
“Kurdo që z. Dehari e respekton rregulloren e Kuvendit dhe vendimin e Kushtetueses, e vendos kandidaturën e Haxhiut apo dikujt tjetër, deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në votim. Por, nuk mund të marrin pjesë në votim në një rend dite që është gatuar në zyrat e LVV-së që nuk është as pjesë e aktgjykimit, as Rregullores”.
Ndërpritet seanca, deputetët pajtohen që ta vazhdojnë pas takimit të thirrur nga Kurti
Vazhdimi i 38-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi që partitë politike janë pajtuar që ta vazhdojnë ata pas takimit që për të shtunën e ka thirrur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kryesuari i seancës, Avni Dehari, ka thënë se kjo pajtueshmëri është arritur në takim konsultativ të cilin ai e ka thirrur para fillimit të seancës të premten.
“Sot u mblodhëm me përfaqësuesit e subjekteve politike për konsulte. Te gjithë ishin të mendimit që seanca sot të ndërpritet. Pasi të mbahet nesër takimi të vazhdojmë me seancën”, ka deklaruar Dehari.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se “aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”.
Ai ka thënë se për këtë ka ftuar në takim krerët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend për të shtunën në orën 16:00.
Dehari fton përfaqësuesit e partive politike për konsulta
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ka ftuar për konsulta përfaqësuesit e partive politike.
Ai këtë ftesë e ka bërë në nisje të vazhdimit të 38-të të seancës konstituive.
Dehari ka thënë se ftesën e bën pas vendimit që ka nxjerrë të enjten Gjykata Kushtetuese.
“120 rroga, 0 përgjegjësi”, shoqëria civile sërish protestë para Kuvendit
Para fillimit të seancës së 38-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, organizatat e shoqërisë civile organizuan sërish një performancë simbolike për të shprehur pakënaqësinë ndaj bllokimit të konstituimit të institucioneve.
“Boll!”, “Mos folni për zgjedhje, kur s’ofroni zgjidhje, “Konkurs për deputetë të rinj”, “Institucionet nuk janë për pazare”, ishin vetëm disa nga parullat që u panë në këtë protestë.
Që nga përfundimi i zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet./EO
Haxhiu: Nëse s’i marr së paku 61 vota me votim të fshehtë, tërhiqem nga kandidatura
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka insistuar në votimin e fshehtë, duke dhënë zotimin se nëse bëhet kjo mënyrë e votimit e ajo nuk merr së paku 61 vota, do të tërhiqet nga kandidatura për kryeparlamentare.
“Me rastin e votimit të fshehtë kur votojnë të gjithë deputetë, siç ka kërkuar edhe Gjykata Kushtuese, nëse unë si kandidate e propozuar nuk i marr së paku 61 vota tërhiqem nga kandidatura për kryetare e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.
Haxhiu bashkë me deputetin e VV-së, Glauk Konjufca, kanë përsëritur se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se votimi i fshehtë nuk është antikushtetues.
Konjufca ka theksuar se Kushtetuesja bën me dije se veprimet e partive politike mund të çojnë në qorrsokak.
“Ne nuk mund ta dimë çfarë do të ndodhë pas 26 korrikut”, ka thënë ai.