Arbëri

Përfaqësuesit e shkollës në Orllan alarmojnë për rrezikun që u kanoset nxënësve

Rrezik për nxënësit është bërë objekti i vjetër i shkollës fillore “Zahir Pajaziti” në fshatin Orllan të Podujevës.

Përfaqësues të kësaj shkolle po kërkojnë nga ekzekutivi komunal që ta dërgojë një ekip të inxhinierëve, për ta vlerësuar qëndrueshmërinë e këtij objekti se a i plotëson kushtet për rinovim apo duhet rrënuar.

Ky objekt i vjetër gjendet në oborrin e shkollës “Zahir Pajaziti” dhe drejtori i saj, Naim Bajrami, ka thënë se nxënësit rrezikohen nga tjegullat, që mund të biejnë nga kulmi.

“Mund të ndodh që të pësojë ndonjë nxënës nga një fatkeqësi, që nuk e dëshirojmë as ne, as komuna, as prindërit tanë. E dyta, në oborr kemi edhe qen endacakë që mund të ketë rrezik prej tyre se strehohen në objektin e shkollës. Dukuri tjetër mund të jetë edhe të rinjtë që vijnë verës, frekuentohet nga qytetet e ndryshme për shkak të zonës që kemi të liqenit si vend turistik, që mund të bëhen edhe dukuri negative”, tha Bajrami.

Drejtori Bajrami thotë se nëse mund të rinovohet ky objekt, atëherë do të mund të shfrytëzohej për rekreacion, qendër trajnuese, por edhe të vihej në kuadër të Kompleksit “Zahir Pajaziti”.

Edhe kryetari i Këshillit Drejtues të kësaj shkolle, Shefqet Pajaziti, thotë se kanë bërë kërkesë disa herë në Komunën e Podujevës që të ndërmarrë diçka rreth këtij objekti.

“Ky objekt për momentin i rrezikon edhe fëmijët, se si po shihet edhe është i vjetër, edhe mund të biejnë tjegullat, po edhe s’ka dyer as dritare dhe çdoherë është rrezik për fëmijë. Kështu që është mirë të marrim preventivën para se me ndodhë rasti, se kur të ndodhë rasti atëherë është e kot”, deklaroi Pajaziti.

“Ne kudo që na u ka dhënë mundësia kemi rekomandua që këtij objektit t’i gjendet një zgjidhje: ose të rrënohet ose të rindërtohet dhe t’i ndërrohet destinacioni. Mirëpo, ende pothuaj qe 9 vjet nuk i është bërë një zgjidhje këtij objekti që vërtetë është bukur i rrezikshëm për nxënësit e shkollës në Orllan”, tha Rexhep Zeka, drejtor ekzekutiv i OJQ-së, “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë se sivjet nuk kanë planifikuar mjete buxhetore për objektin e vjetër të shkollës në Orllan.

Por, ai thotë se po synojnë që t’ia ndërrojnë destinimin dhe ta japin në shfrytëzim te ndonjë investitor serioz, me qëllim të funksionalizimit të këtij objekti.