Arbëri

Perez: Ndeshja e futbollit shërbeu si thirrje që Spanja të mos e injorojë më Kosovën

Ndeshja e futbollit që Spanja e zhvilloi me Kosovën në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022” ka bërë që Spanja të marrë një “thirrje për t’u zgjuar nga gjumi” dhe që të kuptojë se nëse do ta rimarrë pozitën e saj në gjeopolitikën evropiane s’mund ta injorojë më Kosovën, sipas njohësit të raporteve të Spanjës me vendet e Ballkanit, Alejandro Estezo Perez.

Në një bisedë për Interaktiv të KTV-së, Perez ka thënë se me Qeverinë aktuale spanjolle ka ndryshim të vogël të qëndrimit ndaj Kosovës.

Image

Megjithatë, ndryshimet “me hapa të vegjël” nuk e kanë bindur se njohja do të ndodhë, të paktën jo së shpejti.

Sipas tij, ndeshja e futbollit ka bërë që Spanja të kuptojë se për të përforcuar pozicionin e saj duhet të reagojë duke mos e injoruar më Kosovën në sferën e politikës së jashtme.

Por, ai ka shtuar se për Spanjën Serbia vazhdon të jetë shteti numër një në Ballkan.

Intervista e plotë:

KOHA: Në këto 13 vjet që kanë kaluar kemi parë Spanjën, e cila ka anashkaluar dhe ka mohuar pavarësinë e Kosovës. Megjithatë kohët e fundit kemi parë se Spanja ka dhënë sinjale se mund ta ndryshojë pozicionin e saj rreth pavarësisë së Kosovës. Pse mendoni se po ndodh kjo dhe çka saktësisht ka mundur të ndikojë në ndryshimin e qëndrimit të shtetit spanjoll karshi Kosovës?

Perez: Si fillim faleminderit për ftesën, unë mendoj se duhet të tregohemi të kujdesshëm në këtë çështje, e kemi parë Spanjën ashtu si thatë edhe ju në këto 13 vjetët e fundit të mbaj një qëndrim të ngurtë ndaj Kosovës deri në pikën sa e ka mohuar edhe ekzistencën e Kosovës si shtet. Mendoj se ky është një fakt shumë i rëndësishëm për të na treguar se ku qëndrojmë aktualisht. Kemi parë gjatë viteve që kanë kaluar se pavarësisht ndërrimit të qeverive në Spanjë, Kosova është injoruar totalisht nga secila administratë. Kemi pasur disa qeveri të cilat kanë alternuar pushtetin mes vete, porse politika e tyre ka qenë pothuajse e njëjta gjithmonë, se Serbia dhe Kosova duhet ta përfundojnë procesin e dialogut mes vete, që t’i zgjidhin problemet, dhe vetëm atëherë Spanja do e konsideronte njohjen e Kosovës si shtet. Tani çfarë po shohim është në fakt një ndryshim i vogël në qëndrimin e Qeverisë aktuale spanjolle, e kemi pasur sekretarin spanjoll të shtetit për marrëdhënie me BE-në, i cili deklaroi se Qeveria spanjolle aktualisht është duke punuar dhe po angazhohet me Kosovën për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Dhe kjo ka qenë një befasi për opinionin spanjoll, por në të njëjtën kohë përshtatet shumë dhe lë të kuptohet se realisht ka pasur zhvillime dhe progres gjatë këtyre 2-3 vjetëve të fundit, që prej ardhjes në pushtet të qeverisë së re. Do të thosha se ky diskutim mes dy vendeve është një sinjal i qartë se gjërat në Madrid po ndryshojnë.

KOHA: Dhe si e imagjinoni këtë ndryshim të raporteve? A mendoni se Spanja do ta njohë pavarësinë e Kosovës në plotë kuptueshmërinë e saj ? Apo mendoni se do të ketë modele të tjera te raporteve, sikurse ai mes Greqisë dhe Kosovës që mund të aplikohet?

Perez: Në rregull, neve na duhet ta kuptojmë njëherë e mirë se Spanja është një shtet shumë i komplikuar në vetvete. Po kaq e komplikuar është edhe situata mes partive politike atje. Ka një dallim të madh mes ideologjive dhe fuqisë politike të tyre në Parlamentin shtetëror spanjoll. Tani për tani çfarë do të doja të nënvizoja është se kjo qeveri po tregon se edhe nëse janë hapa të vegjël, prapa tyre ekziston një logjikë e qartë diplomatike, një zbutje apo shkrirje, të themi kështu, e politikave nacionale, është një trend të cilin e kemi vënë re këto 2-3 vjetët e fundit. Se a do të jetë kjo urë lidhëse për njohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet për t’u parë, tani për tani nuk jam shumë i bindur se do të ndodhë një gjë e tillë. Besoj se pozita të cilën Spanja e ka mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë pozitë me tone strikte dhe se kjo nuk shpie drejt një njohjeje të shpejtë, sepse nuk ekziston as përkrahja politike, ideologjike e madje as përkrahja nga populli spanjoll që kjo të ndodhë.

KOHA: Po sikur të bënim një lidhje mes asaj çka ne po flasim tani, parimisht po spekulojmë, sepse ende nuk ka një deklarim zyrtar se Spanja po e ndryshon pozicionin e saj, mirëpo burime jozyrtare na kanë thënë se gjërat po shkojnë drejt ndryshimit në raportin Spanjë-Kosovë. A mendoni se e gjithë kjo mund të ndodhë sepse përfaqësuesi i lartë i BE-së për marrëdhënie me jashtë, z. Borell, që dikur mbante pozitën e ministrit të jashtëm në Qeverinë spanjolle, ka ndikuar në krejt këtë çështje, pasi që edhe ju e nisët bisedën duke e përmendur dialogun, a ka ndonjë lidhje dialogu me ndryshimin e pozicionit të Spanjës?

Perez: Ka një lidhshmëri të qartë mes suksesit potencial nga dialogu dhe ndryshimit të Spanjës në qëndrimin e saj për të njohur Kosovën. Autoritetet spanjolle kanë qenë mjaft të qarta sa i përket kësaj çështjeje dhe mendoj se deri sa të shohim një përfundim të suksesshëm të dialogut mes Kosovës e Serbisë nuk do të ketë asnjë lloj njohjeje nga Spanja. Thënë kjo, unë nuk mendoj se po flasim vetëm spekulime të momentit, se edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, z. Borell, që ka qenë ministër i kësaj qeverie, e di se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është në tavolinën e diskutimit, vetë Borelli mund të jetë i rreshtuar kah ideologjia politike e qeverisë aktuale, porse tani për tani mendoj se po ‘’luftojmë’’ dy beteja krejt të kundërta me njëra-tjetrën. Diçka tjetër që dua të them e që besoj se është shumë e rëndësishme dhe që do të duhej të ishte pika kryesore e diskutimit tonë sonte është se Spanja, sipas asaj që kemi dëgjuar së fundmi nga Sekretari i shtetit, po e luan një lojë të cilën nuk mund ta luajë edhe për shumë gjatë. Çfarë nënkuptoj me këtë është se Spanja do që të udhëheqë Bashkimin Evropian në shumë aspekte dhe po synon që të ketë një rol kyç dhe udhëheqës mes politikës evropiane.

KOHA: Alehandro a jeni duke thënë se Spanja do e përdor Kosovën ashtu që të forcojë pozitën e vet përbrenda Bashkimit Evropian?

Perez: Çfarë Spanja po bën është se më në fund i ka hapur sytë dhe nëse do që të ketë ndikim në Bashkimin Evropian, nuk mund të injorojë një pjesë të rëndësishme të politikës së BE-së dhe marrëdhëniet e saj dhe kjo pjesë e rëndësishme e Bashkimit Evropian është Kosova. Ajo që Spanja nuk e ka kuptuar me vjet dhe se më në fund po bën diçka për këtë është se dëshiron që të bashkëpunojë me Kosovën, jo si shtet, as si Republikë, por ndoshta në kuptimin e Kosovës si territor, si truall apo sidoqoftë, Spanja e ka kuptuar se duhet të anashkalojë Beogradin. Çfarëdo angazhimi që Spanja dëshiron të ketë me Kosovën nuk mund të kalojë përmes Beogradit dhe kjo është diçka që qeveria dhe zyrtarët brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës besoj se e kanë kuptuar tani dhe besoj se për këtë arsye e kemi marrë këtë reagim. Unë akoma mendoj se duhet të tregohemi të matur dhe të presim se si i gjithë ky angazhim do të përkthehet në veprime nga ana spanjolle, sa i përket politikës së saj. A do të ketë një zyrë komerciale apo një zyrë ndërlidhëse, siç është rasti me Greqinë apo Rusinë në Prishtinë. Ka shumë pyetje të cilat presin përgjigje dhe, meqë tani për tani kemi të bëjmë vetëm me spekulime, nuk është se kemi një diferencë edhe aq të madhe sa për të rënë në një përfundim.

KOHA: Në të njëjtën rrjedhë me këto ngjarje gjatë këtij viti e kemi pasur edhe rastin me Federatën spanjolle të Futbollit, e cila nuk iu referua Kosovës si një shtet, por si një federatë. E di që Federata spanjolle e futbollit mund të mos ketë fare lidhje me politikën, por si do ta përshkruanit një situatë të tillë kaq të komplikuar ?

Perez: Episodi që patëm më herët gjatë këtij viti me situatën e krijuar nga ndeshja e futbollit është treguesi më i qartë i politikës spanjolle, përfshirë këtu trajtimin e futbollistëve kosovarë, një qasje kaotike që e ka karakterizuar Spanjën përgjatë viteve e bile deri tash së voni. Spanja nuk ka pasur shumë raste që ta gjejë veten përballë Kosovës, që do të thotë se ishte çështje e injorimit të problemit, meqë arriti deri aty, edhe pse dihej se nuk do të zgjaste shumë, kjo ka qenë arsyeja prapa asaj ndeshje futbolli. Për mendimin tim ishte një gabim, ky vendim nuk ishte vetëm vendim i Federatës spanjolle të Futbollit, por supozohet se ishte vendim i instancave më të larta qeveritare.

KOHA: A nuk është pak kontroverse kjo Alejandro që brenda një viti: Federata urdhërohet që të sillet në një mënyrë të tillë me Kosovën, e mbyllur hermetikisht në raport me Kosovën, përderisa në vitin e njëjtë kemi mësuar se Spanja është shumë afër të ndryshojë pozicionin e saj karshi Kosovës?

Perez: Siç po thosha, Spanja e ka kuptuar se nëse do që të rimarrë pozitën e saj në gjeopolitikën e BE-së dhe çështjeve të tjera të jashtme, nuk mundet që ta vazhdojë injorimin e saj karshi Kosovës në sferën e politikës së jashtme, apo në sporte. Prandaj mendoj se kjo ishte një thirrje për t’u zgjuar nga gjumi, sidomos ndeshja e futbollit mes të dyja vendeve shërbeu si thirrje për Qeverinë, që ajo duhet të reagojë në një mënyrë.

KOHA: Pra ju po thoni se futbolli ishte arsyeja, e pse Qeverisë spanjolle i ra zilja se duhet të ndryshojë raportin me Kosovën ?

Perez: Nuk do të thosha kështu tamam, por mendoj se ishte një komponentë e rëndësishme sa i përket kësaj çështjeje. Futbolli nuk është skenari i vetëm ku ne e kemi parë qasjen ‘’larg syve, larg zemrës’’ nga Spanja. Edhe në samitin mes shteteve anëtare të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor kujtojmë se ka qenë një takim para ca kohe, një kryeministër spanjoll as nuk mori pjesë vetëm pse ishte në një ambient ku ndodhej edhe kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi. Për dallim nga ky rast, kryeministri aktual Pedro Sanchez po shkon nëpër takime të tilla si këtë vit ashtu edhe vitin paraprak. Është e vërtetë se në këto samite nuk është se ka pasur ndonjë simbol shtetëror, që ishte kërkesë specifike e Spanjës, megjithatë ka një ndryshim shumë të madh prej kohës kur Spanja nuk kishe një përfaqësues në samitet ku ka qenë Kosova me pjesëmarrjen e Pedro Sanchezit në një samit, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

KOHA: Dhe si e shihni qasjen e Politikës së Jashtme të Kosovës karshi Spanjës në këto 13 vjet? Ju keni jetuar dhe keni vepruar këtu në Kosovë dhe e njihni shumë mirë raportin mes Spanjës dhe Kosovës? Biseduam për Spanjën, por të flasim për Kosovën tani, si e keni parë qasjen e saj, jo vetëm në politikë, por edhe diplomacinë kulturore dhe format e tjera, për të thyer këtë marrëdhënie të akullt me Spanjën?

Perez: Siç qëndrojnë gjërat, unë mendoj se Kosova nuk ka shumë hapësirë për të manovruar me situatën, nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk është anëtare e shumë organizatave të rëndësishme ndërkombëtare apo institucioneve ndërkombëtare dhe kjo është një pengesë shumë e madhe që e penalizon Kosovën për ta shtruar ndikimin e saj karshi shteteve të tjera, sepse thjesht Kosova nuk shihet si e barabartë, prandaj kjo është një barrierë shumë e madhe për Kosovën, e cila duhet të vijë në një pozitë për t’u konsideruar si e barabartë prej shteteve të tjera. Kjo është ajo që unë e mendoj si korniza gjithëpërfshirëse se pse Kosova nuk ka qenë shumë e suksesshme në sigurimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Dhe mendoj se shqetësimi kryesor për Kosovën është se është e limituar në sasinë e fuqisë që mund ta ketë për ndikim. Dhe kësaj ia shtojmë edhe kampanjën linçuese të Beogradit, ku shumë vende afrikane apo ato nga ishujt kanë kërcënuar se do të tërheqin njohjet, pra ka një mal me faktorë, që po e pengojnë Kosovën dhe po ia vështirësojnë rrugën.

KOHA: Dhe si mendoni që do të reagojë Beogradi karshi marrëdhënies së re mes Kosovës dhe Spanjës, gjithmonë nëse bëhet realitet?

Perez: Kjo është një pyetje shumë interesante, sepse kur sekretari i shtetit tha se janë duke shqyrtuar një mundësi për t’u afruar me Kosovën, për t’u angazhuar në këtë drejtim, ministri i Jashtëm i Serbisë ishte në dhomë dhe ia kujtoi sekretarit të shtetit se Serbia është aleati më i madh i Spanjës në Ballkanin Perëndimor dhe kjo është e vërtetë. Kjo mbase është copëza më e madhe dhe më e rëndësishme e asaj që neve na duhet të konkludojmë sonte. Spanja nuk do të ecë përpara në njohje apo nuk do të angazhohet shumë drejt Kosovës nëse nuk e ka aprovimin e palës serbe. Mirëpo ekziston një prioritet i qartë për Spanjën se Serbia vjen e para dhe pastaj të tjerat.

KOHA: Nuk e di nëse ju kuptova mirë, ju thatë që edhe ky ndryshim i Spanjës duhet të orkestrohet në mes të Madridit zyrtar dhe Beogradit?

Perez: Jo tamam, ajo që po them unë është se ky hap, çfarëdo hapi që mund të jetë, natyrisht që Spanja është një shtet sovran dhe mund të marrë çfarëdo vendimi që dëshiron, por i duhet një lloj aprovimi prej Serbisë, nuk është se Serbia do të ketë të drejtë vetoje të çfarëdo lloji, por çka dua të them këtu është se Spanja nuk do të lëndojë asnjë lloj ndjenje të Beogradit dhe kjo është bërthama e krejt çështjes.

KOHA: A i bie kjo që njohja nuk vjen në shprehje në këtë moment? Do të thotë se do ketë lidhje bilaterale mes dy vendeve, një zgjerim i marrëdhënieve mes dy vendeve, por jo njohje apo jo?

Perez: As që bëhet fjalë. Dua të jem shumë i qartë në këtë pikë, që edhe për një kohë nuk do të kemi njohje nga shteti spanjoll. Nuk mendoj se kjo është një gjë negative, nëse e marrim në konsideratë pozicionin e Spanjës. Spanja vjen prej një politike e cila ka qenë mohuese gjatë tërë kohës në raport me ekzistencën e Kosovës dhe fakti që tani Spanja po e konsideron hapjen e një zyrë ndërlidhëse apo shkëmbim mallrash me njëra-tjetrën është një hap shumë i madh dhe pozitiv. Ndryshimi i qartë në qëndrim po ndodh, megjithëse shumë ngadalë, prandaj nuk mund të presim njohje edhe për një kohë të gjatë.

KOHA: A prisni që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë drejt Spanjës me pasaportë kosovare, sepse, siç e dini, sa herë që marrim një vizë Shengen, gjithmonë e kemi të nënvizuar me minus shtetin e Spanjës, ndoshta krijimi i kësaj marrëdhënieje të re me shtetin spanjoll mund të ketë ndikim në këtë drejtim, a besoni kështu?

Perez: Kjo është diçka që mund të vëzhgohet, unë sinqerisht mendoj se është e padrejtë dhe mund të jetë njëri prej hapave që mund të ndërmerren, me të vërtetë nuk e di se sa e sigurt në vete do të njihej Spanja nëse tërthorazi do i lejonte qytetarët e Kosovës të hyjnë brenda kufirit me pasaporta kosovare, pasi që në një farë forme do nënkuptonte se Spanja e njeh Kosovën, megjithatë, siç thashë, do na duhet të presim dhe të shohim se çfarë është i tëri ky angazhim dhe ky veprim i Spanjës drejt Kosovës, sepse me të vërtetë nuk dimë ende asgjë dhe jemi të rrethuar nga një situatë shumë e paqartë, sepse s’e dimë sesi do të materializohet i gjithë ky angazhim i Spanjës karshi Kosovës.