Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përçarje në Listën Serbe

Branimir Stojanoviq, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ish-anëtar i Listës Serbe, ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, si kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës. Lista Serbe tani e akuzon atë për “ndarje” të popullit serb në Kosovë, ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë më herët ka dërguar porosi se vetëm kandidatët e Listës Serbe do të kenë mbështetjen e Beogradit

(REL) – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të enjten se të gjithë ata përfaqësues të serbëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale të Kosovës, të caktuara për 17 tetor dhe që nuk janë pjesë e Listës Serbe, nuk do të kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe të shtetit të Serbisë. Ai ka shprehur mendimin se të gjithë ata që nuk janë me Listën Serbe, nuk do ta marrin besimin e popullit.

“Ne do të dalim (në zgjedhjet lokale të Kosovës) si të bashkuar, sepse ata që nuk janë të bashkuar në Kosovë dhe që nuk janë prapa Listës Serbe, vështirë se do të marrin besimin e popullit. Besimin duhet ta merrni në bazë të bashkimit dhe unitetit dhe jo në bazë të shembjes së asaj që ju ruan dhe që ua ruan identitetin dhe mbijetesën në Kosovë”, ka thënë Vuçiqi.

Kjo deklaratë e presidentit serb, Vuçiq, vjen pasi që Branimir Stojanoviq, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ish-anëtar i partisë kryesore të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë, si një kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, komunë kjo me shumicë serbe, në afërsi të Prishtinës.

Lista Serbe tani e akuzon atë për “ndarje” të popullit serb në Kosovë, ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë më herët ka dërguar porosi se vetëm kandidatët e Listës Serbe do të kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe shtetit të Serbisë.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjell Nojkiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thotë se herët apo vonë ai priste një ndarje brenda Listës Serbe. Por, siç thekson ai, reagimi i Beogradit zyrtar ndaj kandidimit të Branimir Stojanoviqit është i pashembullt.

Edhe Serbia ndërhyn sërish në zgjedhjet e Kosovës Arbëri 2 muaj më parë Serbia ndërhyn sërish në zgjedhjet e Kosovës

“Mendoj se nuk është aspak e drejtë që njerëzit të ndahen në një mënyrë të tillë, veçanërisht në situatën në të cilën gjenden serbët në Kosovë. Ata praktikisht po i ndajnë në patriotë dhe në ata që janë armiq (të Serbisë), gjë që është e pashembullt dhe e pasaktë”, nënvizon Nojkiq.

Ai gjithashtu thekson që, sipas burimeve të tij, tash e disa kohë ka pasur pakënaqësi brenda Listës Serbe dhe kjo është arsyeja pse “Beogradi po përpiqet t’i kënaqë ata maksimalisht”.

“U japin atyre funksione, kompetenca të caktuara dhe kështu me radhë. Pastaj ata heshtin, domethënë nuk i shprehin zemërimin dhe pakënaqësinë e tyre publikisht”, thotë Nojkiq dhe deklaron se ky është momenti kur ajo pakënaqësi arriti kulmin.

“Lista Serbe sillet kështu siç po sillet, për shkak se të gjithë brenda saj kanë marrë përkujdesje të majme materiale, financiare dhe në çdo mënyrë tjetër... Por, pakënaqësia që shfaqet te populli tregon se ata (Lista Serbe) nuk kanë kredibilitet t’i qasen popullit për t’i shpjeguar se si ata jetojnë mirë dhe se si Lista Serbe ua siguroi atyre këtë apo atë”, thotë Nojkiqi.

Për më shumë, shumica e zyrtarëve të Listës Serbe kanë të paktën një punë në sistemin kosovar dhe një në atë serb dhe rrjedhimisht kanë paga të dyfishta.

Mst: Ndryshime në Graçanicë

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, konsideron që Lista Serbe mund të jetë seriozisht e rrezikuar në Graçanicë, marrë parasysh që Branimir Stojanoviq ka qenë një nga themeluesit e asaj partie.

“Kjo është sfidë vërtet serioze për Listën Serbe, sepse (Branimir) Stojanoviq mund të marrë një numër të madh votash. Kjo nuk do të thotë se ai do të marrë pushtetin, por ai mund të jetë një kopsë lidhëse për njerëzit e tjerë që nuk janë në Listën Serbe”, konsideron Janjiq.

Ai vlerëson gjithashtu se kandidatura e Branimir Stojanoviqit, si kandidat i pavarur në zgjedhjet e ardhshme lokale është një gjë e mirë për komunitetin serb në Kosovë.

Në këtë moment, thotë Janjiq, mesazhet që vijnë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, nuk janë aq të rëndësishme sepse ajo “mbron monopolin mbi serbët”.

“Autoritetet në Beograd vendosin se kush do të jetë kandidati dhe këtë e thonë hapur, madje kërcënojnë paraprakisht. Në përgjithësi, ajo politikë është e keqe. Të vendosësh të gjitha argumentet në një grumbull ose siç thotë populli ‘të gjitha vezët në një shportë’, nuk është mirë”, vlerësoi Janjiq.

Edhe Serbia tenton të ndikojë te vota serbe në Kosovë para zgjedhjeve parlamentare Arbëri 2 muaj më parë Serbia tenton të ndikojë te vota serbe në Kosovë para zgjedhjeve parlamentare

Mst: Kandidat i pavarur

Branimir Stojanoviq ka thënë se uniteti serb nuk ka kuptim nëse ky unitet duhet të jetë vetëm qëllim dhe jo që me të të bëhet diçka.

Ai e tha këtë në një fjalim të tij për media, më 16 gusht, pasi që e paraqiti kandidaturën e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme lokale, të caktuara për 17 tetor.

Stojanoviq, ka vendosur që këtë herë të kandidojë në zgjedhjet lokale si kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, komunë kjo me shumicë serbe, sepse është i pakënaqur me vendimin e Listës Serbe, partisë kryesore serbe në Kosovë dhe që ka mbështetje nga Beogradi zyrtar, për të nominuar Lilana Shubariqin për kryetare të Graçanicës.


Ai ka theksuar që nuk ka asgjë personale kundër Lilana Shubariqit, porse ajo nuk është e njohur për vendasit e Komunës së Graçanicës.

Më pas, më 17 gusht, Lista Serbe mbajti një konferencë për media ku mori pjesë edhe vetë Llilana Shubariq. Kur gazetarët e pyetën këtë të fundit që të prezantohej për publikun, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq tha se një gjë e tillë nuk ishte e mundur, sepse fushata zgjedhore nuk ka filluar ende.

Edhe Opozita serbe në Kosovë me nismë të re bashkëpunimi Arbëri 4 muaj më parë Opozita serbe në Kosovë me nismë të re bashkëpunimi

Ai vetëm tha shkurtimisht që Lilana Shubariq është një grua e respektuar dhe profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon në sistemin arsimor të Serbisë.

Në të njëjtën konferencë për gazetarë, e cila u thirr për shkak të kandidimit të Branimir Stojanoviqit si kandidat i pavarur, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nuk deshi që të përgjigjet ndaj pyetjeve të gazetarëve, por pas deklaratës së tij ai e braktisi hapësirën ku u mbajt konferenca.