Në muajin tetor të vitit të kaluar, kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte udhëtuar për një vizitë në Çeki, me të kishin shkuar edhe pesë persona nga stafi i tij mbështetës.
Gjatë kësaj vizite, stafi i tij i ka harxhuar rreth 3.500 euro vetëm për akomodim dhe mëditje.
Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2018, sipas Raportit të Shpenzimeve të Kuvendit, të cilin e posedon “Koha Ditore”, stafi i Veselit ka shpenzuar afro 60 mijë euro për udhëtime jashtë vendit. Në anën tjetër, për të njëjtën periudhë kohore, deputetët e Kuvendit kanë harxhuar afro 105 mijë euro.
Në tërësi, vitin e kaluar Kuvendi ka shpenzuar afro 9 milionë euro për paga e mëditje, subvencione e udhëtime brenda e jashtë vendit, si dhe shërbime të tjera.
Një përmbledhje e raportit me shifra të përgjithshme është prezantuar të mërkurën në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Deputetët kanë kritikuar posaçërisht shpenzimet për subvencione, si dhe shpenzimet e kabinetit të kryetarit, Kadri Veseli, për udhëtime jashtë vendit.
Kanë thënë se është e palogjikshme që në një udhëtim me kryetarin e Kuvendit të shkojnë kah pesë këshilltarë të tij, siç ka ndodhur, sipas tyre thuajse në secilin udhëtim vitin e kaluar. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore).
-
Veseli shpenzoi rreth 21 mijë euro në një udhëtim zyrtar në SHBA
-
Raporti i Shpenzimeve të Kuvendit nuk kalon, u shpenzuan mbi 2 milionë euro për tre muaj
-
Për stafin e administratës Kuvendi për tre muaj shpenzoi 23 mijë euro
-
Për 77 ditë mandat, mbi gjysmë milioni euro shkuan në paga për deputetët
-
Udhëtimet e presidentes me staf, 137 mijë euro për pesë muaj