Arbëri

Për tensionet në veri, sekretari i OKB-së përmend si shkaktar edhe veprimet e autoriteteve në Prishtinë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka publikuar raportin për Kosovën, në të cilin ka evidentuar se situata e sigurisë është përkeqësuar si pasojë e provokimeve dhe retorikës nxitëse mes palëve. Pjesa më e madhe e përgjegjësisë u faturohet autoriteteve të Kosovës duke listuar arrestimet e serbëve të Kosovës, dislokimet e reja të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, shpronësimet e tokës dhe incidentet e shumta në lokalitetet serbe. Për të gjitha këto do të diskutohet të hënën në Këshill të Sigurimit, ku Kosova e Serbia do të përfaqësohen në nivel të presidentëve

Tensionet në veri dhe dialogu do të jenë temë diskutimi edhe në seancën e javës së ardhshme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në prag të saj, sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka publikuar raportin për Kosovën. Pjesa kryesore u kushtohet tensioneve në veriun e populluar kryesisht me serbë, por aty nuk është përfshirë edhe sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë. Kjo, pasi raporti përfshin periudhën prej 19 marsit deri më 18 shtator. Aty Kosova bëhet përgjegjëse për aksionet e ndërmarra në veri, të cilat autoritetet e Kosovës i kanë cilësuar të jenë në kuadër të sundimit të rendit dhe ligjit.

“Gjashtë muajt e fundit janë shënuar me mosmarrëveshje të vazhdueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, veçanërisht mbi legjitimitetin e kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë të Kosovës në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Situata e sigurisë në terren vazhdoi të përkeqësohej si rezultat i provokimeve dhe retorikës së shtuar nga palët, duke çuar në përleshje të dhunshme në të cilat pjesëtarët e Forcës së Kosovës (KFOR), civilë dhe gazetarë, u plagosën”, shkruan në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antoni Gutierres. “Në mjedisin e tensionuar kontribuuan: protestat në veri të Kosovës; arrestimet e serbëve të Kosovës; ndalimi nga autoritetet serbe të tre policëve të Kosovës; dislokimet e reja të njësive të operacioneve speciale të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës; shpronësimet e tokës; dhe incidente të shumta sigurie”.

Më tej dokumenti flet për çështjet që çuan në bllokadë sa i përket zbatimit të Marrëveshjes bazë.

“Një ngërç u krijua mbi modalitetet e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit të saj. Përderisa Beogradi këmbënguli se hapat konkretë drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë duhej të ishin prioritet, Prishtina pohoi se asnjë nen i Marrëveshjes nuk mund të ishte parakusht për zbatimin e neneve të tjera dhe se nenet duhej të avancoheshin “në mënyrë të pavarur”. Takimet dypalëshe të mbajtura në Bruksel më 15 maj ndërmjet përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian dhe kryenegociatorëve të Beogradit dhe Prishtinës gjithashtu nuk rezultuan në një marrëveshje për hapat e ardhshëm”, shkruan në dokument.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, zhvillimet në veri ndikuan në procesin e dialogut, duke filluar me zgjedhjet për kryetar komune të 23 prillit. Aty përmenden edhe tensionet në Zveçan e Leposaviq, ku për pasojë mbetën të lënduar civilë, pjesëtarë të KFOR-it dhe gazetarë. Raporti i liston edhe kushtet e vëna nga Lista Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje- që ishin themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës. Por ky subjekt serb së fundi u zmbraps prej këtyre kushteve duke proklamuar gatishmërinë që të marrë pjesë në zgjedhje, por pasi të jenë dorëhequr kryetarët aktualë.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën do të jetë një duel presidentësh. Kosovën do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani, ndërkaq Serbinë presidenti Aleksandar Vuçiq.

Por një organizatë e cila trajton diskutimet në seancat e Këshillit të Sigurimit ka paralajmëruar për mundësinë e mbylljes së seancës për Kosovën. Sipas organizatës joqeveritare, “Raporti i Këshillit të Sigurimit”, Kosova dhe Serbia po i shfrytëzojnë seancat për të proklamuar narrativa kundërthënëse. Për ta shmangur këtë, sipas tyre, Brazili si presidente e Këshillit mund të shqyrtojë ndryshimin e formatit të takimit nga një konferencë e hapur në konsultime të mbyllura.

Por në faqen zyrtare të OKB-së diskutimi për Kosovën nuk figuron të jetë i mbyllur.

Edhe në Presidencën e Kosovës patën deklaruar se sipas informacioneve që kanë seanca do të jetë e hapur. Për të ndryshuar formatin mund të vendosin anëtarët e KS të OKB-së.

Ditën kur mbahet seanca është paralajmëruar të mbahet një protestë nga shqiptarët para selisë

Së OKB-së, kundër pjesëmarrjes së presidentit serb. Përmes kësaj proteste shqiptarët në Amerikë do të kërkojnë që Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës dhe sulmin terrorist në Banjskë. Protestën e ka organizuar Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit bashkiak të Nju-Jorkut, me mbështetjen e disa shoqatave të tjera shqiptaro-amerikane.