Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Për një muaj në Viti kryhen 43 vepra penale

Gjatë muajit prill në Viti janë shënuar 43 vepra penale dhe 8 aksidente të komunikacionit , ndërsa nga këto raste 27 raste janë dërguar në prokurori.

Fatos Latifi nga Policia e Kosovës këto statistika i ka prezantuar në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ndërkaq ka përmendur se gjatë muajit prill janë shqiptuar edhe 116 kundërvajtje trafiku, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Për zonën e përgjegjësisë, në stacionin policor në Viti, gjatë muajit prill kanë qenë 51 raste të raportuara, nga të cilat 43 vepra penale dhe 8 aksidente trafiku, nga këto 27 raste janë zbuluar dhe lëndët e tyre janë dërguar në Prokurori. Nga rastet e raportuara 53 % të tyre janë zbuluar. Janë 3 raste për armëmbajtje pa leje, në kuadër të së cilës janë bastisur 3 shtëpi, meqë rast policia në rastin e parë ka arritur të konfiskojë 1 kallashnikov, 1 revole, 3 karikatorë të kallashnikovit, 2 karikatorë të revoles me 150 fishekë dhe 36 copë fishekë të revoles 9 mm. Në rastin e dytë Policia e Kosovës në Viti, po ashtu ka konfiskuar 1 revole me një karikator me 17 copë fishekë, ndërsa në rastin e tretë, 1 pushkë gjuetie me 26 fishekë. Të gjitha këto raste janë proceduar nga Policia e Kosovës dhe janë ngritur kallëzime penale, ku lëndët për këto raste janë dërguar në Prokurorinë e shtetit për Krime të Rënda në Gjilan”, ka thënë ai.

Ndërkaq është përmendur si rast edhe një përleshje në mes të 3 personave, ku janë përdorur edhe mjetet e forta me ç`rast personat e involvuar kishin pësuar lëndime të rënda trupore.

“Kemi një vrasje në tentativë në Tërpezë të Vitisë pas një përleshjeje në mes te 3 personave, të cilët kanë përdorur mjete të forta dhe një thikë me teh prej 8 cm. Që të 3 personat kanë kërkuar ndihmën mjekësore në emergjencë, ku njëri prej tyre ka pësuar lëndime me të rënda trupore për çka pas hetimeve të rastit nga ana e Policisë dhe në konsultim me prokurorin e shtetit, 2 persona të dyshuar janë ndaluar dhe rasti është proceduar në Prokurori në procedurë të shpejtë”, ka thënë ai.