Brenda një jave, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuza ndaj dy ministrave të Qeverisë Haradinaj.
Pas Besim Beqajt dhe të tjerëve në rastin “Pronto”, këtë të enjte u bë e ditur se kjo prokurori ka akuzuar edhe ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Ai akuzohet për veprat, përvetësim në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, për kohën sa ishte në krye të Komunës së Gjakovës.
Ministri reagoi pasi tha të jetë njoftuar nga mediat për aktakuzën, derisa la të nënkuptohet se rasti kishte ndodhur para 10 vjetëve dhe kishte të bënte me subvencione.
“Ashtu siç kam qenë, do të vazhdoj të jem në krye të detyrës, për t’i përmbushur obligimet tona ndaj qytetarëve dhe vendit tonë. Cilido që do të jetë epilogu i organeve të drejtësisë, jam i gatshëm ta respektoj. Por, nuk do të ndalemi në punën tonë, pa marrë parasysh tendencën dhe presionin”, ka thën[ Lekaj.
Avokati i tij, Arianit Koci, i ka thënë KTV-së se nuk janë njoftuar nga Prokuroria për aktakuzën, derisa ka pranuar se Lekaj, muaj më parë ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për këto vepra.
Lekaj edhe më herët ka qenë i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Prokuroria Speciale, por Gjykata në Gjakovë kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj tij dhe dy ish-zyrtarëve të kësaj komune.
Aktakuza e ngritur në shkurt të vitit të kaluar ishte hedhur poshtë nga gjykata tre muaj më vonë në mungesë të provave.
Përveç në Gjakovë, ndaj Lekajt ka edhe dy aktakuza të tjera në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për rastet e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ende nuk është mbajtur ndonjë seancë për to.
-
Hetime preliminare për Pal Lekajn, nën dyshimet për keqpërdorime të tenderëve me rrugë
-
Ministri Lekaj nën hetime preliminare për korrupsion
-
Gjykata e Gjakovës hedh poshtë një pjesë të aktakuzës ndaj Pal Lekajt
-
Gjykata e Gjakovës hedh poshtë një pjesë të aktakuzës ndaj Pal Lekajt
-
Hidhet poshtë pjesërisht aktakuza ndaj ministrit Lekaj