Në qershor do të bëhen dy vjet prej se aktakuza “Stenta” është dorëzuar në gjykatë. Edhe pse gjykata ka afat ligjor prej 30 ditësh që të nisë trajtimin e këtij rasti, për një pjesë të akuzuarve gjykimi në këtë rast ligjërisht nuk ka nisur ende.
Deri më tash nga gjykimet janë “kursyer” përfaqësuesit e dy spitaleve private që akuzohen se kanë korruptuar rreth 40 mjekë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Aktakuza e ndarë në tri pjesë: në “Stenta 1”, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, nga Gjykata Themelore nuk është trajtuar njëjtë. Brenda një muaji është planifikuar të përmbyllet procesi i gjykimit të ish-ministrit Ferid Agani dhe ish-sekretarit Gani Shabani. Në gjykimin “Stenta 2” janë mjekët e akuzuar të spitaleve publike. Deri tani në këtë pjesë janë mbajtur disa seanca.
Por në pjesën e gjykimit “Stenta 3”, ku të akuzuar janë përfaqësuesit e spitaleve private dhe disa mjekë që kanë punuar në këto spitale, ende ligjërisht nuk është përfunduar asnjë seancë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)