Deçani, Klina dhe Istogu kanë shpenzuar rreth 30 mijë euro për t’ua dhënë qyteteve të tyre pamjen festive për festat e fundvitit.
Por të njëjtën gjë nuk e ka bërë sërish Peja. Për të dytin vit me radhë, ky qytet nuk ka dekorim festiv.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër stolisjen e qendrës së qytetit, Deçani, siç thotë drejtori i Shërbimeve Publike, Izet Zenuni, ka shpenzuar 8 mijë e 600 euro, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Qyteti është stolisur ashtu siç ka qenë projekti. Operatori është kontraktuar vitin e kaluar për dekorimin e qytetit në të gjitha festat zyrtare gjatë vitit, si dhe për festat e fundvitit. Për dekorimin e qytetit secila festë e ka tarifën e saj të kostos. Tarifa për stolisjen e qytetit për festat e fundvitit ka qenë 8 mijë e 600 euro”, thotë Zenuni. Në Istog janë shpenzuar më pak mjete për të stolisur qytetin. “Buxheti për stolisjen e qytetit për festat e fundvitit është 5 mijë euro. Plani për stolisje është në oborrin e objektit komunal dhe rruga kryesore ‘Ibrahim Rugova’ e qendrës së qytetit. Ky projekt është në realizim e sipër”, thotë zyrtarja për informim e kësaj komune, Fjollë Berisha. Më shumë mjete për stolisjen e qytetit ka nxjerrë nga xhepi Komuna e Klinës, e cila ka stolisur jo vetëm një shesh në qytet.
“Klina është stolisur për festat e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Kompania kontraktuese nga Komuna e Klinës për dekorimin e qytetit për festa të fundvitit në bazë të kontratës së nënshkruar ka bërë dekorimin e sheshit ‘Mujë Krasniqi’, ‘Nënë Tereza’, ‘Faruk Elezi’ si dhe atë të ‘Ndue Përlleshit’. Komuna e Klinës për këtë projekt ka ndarë 15 mijë e 450 euro, ku është e përfshirë edhe mirëmbajtja e këtyre dekorimeve”, thotë drejtori i Shërbimeve Publike në Klinë, Ibër Elezaj. E në Pejë, Viti i Ri do ta gjejë qytetin të pa stolisur. Përveç stolisjeve që shihen nëpër lokale private, në asnjë pjesë të qytetit, e as në qendër të qytetit nuk ka as edhe një dritë të vetme apo ndonjë dekorim i vendosur nga Komuna.
Ky është viti i pestë që Komuna e Pejës nuk ka ndarë asnjë cent për stolisjen e qytetit, pavarësisht se mosstolisja mund të ndikojë edhe në imazhin e qytetit. Vetëm në dy vjetët e fundit sheshi ka qenë i stolisur dhe atë falas nga bizneset. Mungesa e dekorimeve jo vetëm në shesh, por edhe në ndonjë pjesë tjetër të qytetit ka shkaktuar reagime të ashpra të shoqërisë civile dhe subjekteve opozitare në Pejë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)