Arbëri

Peci u kërkon punëtorëve të ministrisë vërtetime mbi të kaluarën kriminale

Faton Peci - Ministër i Bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka obliguar të gjithë punonjësit e Ministrisë që në afat prej 10 ditësh t’i dërgojnë vërtetimet policore për verifikimin e të kaluarës kriminale dhe certifikatën nga Gjykata mbi procedurën apo dënimet penale.

Përmes një emaili që ka siguruar KOHA e që u është përcjellë punëtorëve të kësaj ministrie, arsyeja e kërkesës është “verifikimi i punonjësve lidhur me procedurat e lartcekura me qëllim të zbatimit të Ligjit nr 08/L-197 për zyrtarët publikë”.

“Të gjitha vërtetimet dërgohen te Divizioni i Burimeve Njerëzore në MBPZHR dhe DBNJ pas pranimit vërtetimeve dhe certifikatave, obligohen t’i verifikojë dhe raportojë për gjendjen faktike të shqyrtimit të dokumentacionit të ZPS”, thuhet në email, duke shtuar se afati i zbatimit të kësaj urdhërese është 10 ditore.

Emaili mban datën e 1 nëntorit 2023.

Në një tjetër komunikim përmes emaili që e posedon KOHA, shefja e kabinetit të ministrit Peci, Flutur Mustafa-Pllana, u ka kërkuar drejtorëve të kësaj ministrie sqarim për “interesimin e disa prej tyre te zyrtarët e pagesave për prioritizim të disa lëndëve për pagesa karshi lëndëve tjera”.

“Po ju drejtohem me autorizim të ministrit Faton Peci rreth një shqetësimi të ngritur pas disa informatave të pranuara rreth interesimit të disa nga ju dhe vartësit tuaj te zyrtarët e pagesave për prioritizim të disa lëndëve për pagesa karshi lëndëve tjera. Është interesante dhe dëshiroj të di se nga buron ky guxim i juaji dhe i zyrtarëve vartës për ndërhyrje të tilla duke pasur parasysh edhe pasojat që ish-kolegë tuaj kanë bartur pikërisht për shkak të ndërhyrjeve të kësaj forme, siç janë arrestimet”, ka shkruar ajo.

Ajo ka kërkuar vëmendje e kujdes për veprimet e tyre në emailin që mban datën 1 nëntor 2023.