Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka konfirmuar se ka shkarkuar këshilltarin politik Enis Osmani, i cili është dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë pasi pranoi fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimit.
Në një konferencë për media të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë, Peci ka thënë se Osmani nuk do të jetë pjesë e kabinetit të tij nga muaji i ardhshëm.
“Shumë shkurt, personi në fjalë nuk do të jetë pjesë e kabinetit prej muajit të ardhshëm”, ka thënë Peci para gazetarëve.
Më 24 janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Mitrovicë e shpalli fajtor Enis Osmanin për “falsifikim të rezultateve të votimit” të vitit 2017.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 7 shkurt 2022 pati ngritur aktakuzë kundër Enis Osmanit, me arsyetimin se më 11 qershor 2017, rreth orës 19:00, në fshatin Bare – Mitrovicë, saktësisht në shkollën fillore “Xhevat Jusufi”, i pandehuri Enis Osmani në vendvotimin me numër 1115B/02D për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, në cilësinë e kryesuesit të këtij vendvotimi, duke keqpërdor pozitën, detyrën apo autorizimet e tij lidhur me zgjedhjet, ka shtuar dhe hequr votat kandidatëve brenda subjekteve politike.
Sipas aktakuzës, gjatë numërimit të tyre, duke i hequr votat disa kandidatëve dhe duke ua shtuar votat disa kandidatëve të tjerë, i regjistron në mënyrë të pasaktë gjithsej 246 vota, 228 prej tyre si vota të shtuara dhe 18 prej tyre si vota te hequra, prej tyre të shtuara 56 për PDK-në, 112 për LDK-në dhe 60 për LVV-në dhe të hequra 8 për PDK-në dhe 10 për LDK-në.