Arbëri

Peci shkarkon këshilltarin që u arrestua për keqpërdorim të pozitës

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka shkarkuar nga detyre këshilltarin e tij, Hysen Muzliukaj.

Shefja e kabinetit të ministrit Peci, Flutur Mustafa-Pllana, e ka konfirmuar shkarkimin, duke shtuar se derisa drejtësia ta thotë fjalën e fundit, Muzliukaj është liruar nga detyra.

“Ministri Faton Peci, deri sa drejtësia ta thotë fjalën e fundit, Z. Muzliukajn e ka liruar nga detyra”, ka thënë Mustafa-Pllana për KOHËN.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka arrestuar sot Faruk Mujkën, ish-nënkryetar i Mitrovicës, në kohën sa kjo komunë është udhëhequr nga kryetari Agim Bahtiri, si dhe Hysen Muzliukaj-këshilltar i ministrit Faton Peci për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Siç ka informuar prokuroria, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 24 orë.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Mujka dhe Muzliukaj, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.