Ish-ambasadori i Kosovës dhe drejtori i Institutit Kipred, Lulzim Peci, ka thënë se partneriteti i Serbisë me Perëndimin është duke u rritur, derisa Kosova është duke e humbur këtë partneritet për shkak të raportit me Perëndimin.
I ftuar në 60 Minuta të KTV-së, Peci ka thënë se sjellja e Kosovës duke qenë neglizhente ndaj Marrëveshjes së Washingtonit, mosreagimi ndaj projektit të Ujmanit, çështja e gazit e dërgimi I forcave policore në veri të vendit pa u konsultuar me KFOR-in, janë elemente që e dëmtojnë partneritetin e Kosovës me Perëndimin.
“Një element që duhet ta kemi parasysh në këto momente është që partneriteti me Perëndimin është duke u rritur ndërsa Kosova është duke e humbur partneritetin për shkak të raportit me Perëndimin. Deri më tani nuk kemi treguar shenja të një partneriteti të mirëfilltë me perëndimin sidomos me SHBA-në. Kemi qenë neglizhentë ndaj marrëveshjes së Washingtonit. Projektin e Ujmanit, reagimi jonë ndaj këtij projekti ka qenë kurrfarë, çështja e gazit, dërgimi i forcave policore në Veri në shtator, pa kurrfarë konsultimi, të gjitha këto janë elemente që Kosova nuk e ka luksin e veprimeve unilaterale dhe këto po e dëmtojnë partneritetin me Perëndimin”, ka thënë ai.
Këtë deklaratë Peci e dha derisa foli për politikën e Serbisë krahas zhvillimeve me Ukrainën dhe Rusinë për çka tha se Serbia do të tentojë të përfitojë sa më shumë që është e mundur.
“Do të kishte qenë politikë e mençur e jona që t’i bëjë thirrje Serbisë të orientohet nga Perëndimi. Çka nëse Serbia e ndryshon kursin dhe kthehet nga Evropa dhe Perëndimi, ajo do të tentojë të nxjerrë përfitimin më të madh të mundshëm. Serbia do të tentojë të nxjerrë maksimumin”, ka thënë ai derisa ka njoftuar se orientimi i deritanishëm i Serbisë është në favor të Kosovës, të cilin edhe duhet ta shfrytëzojë vendi.
“Unë mendoj që është moment i favorshëm për shkak të orientimit të Serbisë. Serbia ka bërë një kthim prej 90 shkallësh në raport me politikën me Rusinë kur votoi pro rezolutës së Asamblesë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara e cila e dënoi agresionin rus në Ukrainë. Ky kthim i Serbisë është përshëndetur sidomos nga SHBA-ja. Serbia është duke punuar, po i afrohet tehut të shpatës por me këtë politikë, duke u munduar që të mos ta kalojë linjën e kuqe, është duke u munduar që t’i krijojë vetës një hapësirë të veprimit diplomatik që në një formë ta dënojë Rusinë, por nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj saj. Kjo e ka edhe efektin e jashtëm por edhe të brendshëm. Është interesante që më 25 nëntor të vitit të kaluar, në takimin e Vuçiqit me Putinin është biseduar për tri çështje kryesore, për gazin që Serbia importon nga Rusia, bashkëpunimi ushtarak midis dy vendeve dhe sa i përket koordinimit në sferën multilaterale ku përmendet Kosova e që Rusia i jep përkrahje Serbisë”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për krahasimin e Kosovës me Krimenë dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me dy zonat separatiste, Donetsku dhe Luhansku, nga ana e politikës së jashtme ruse.
Edhe
Peci: Serbia synon rrënimin e imazhit të Kosovës dhe përçarjen e shqiptarëve
“Kosova deri tani është krahasuar vetëm me Krimenë, ndërsa tash Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është duke u krahasuar me dy zonat separatiste, Donetsku dhe Luhansku pastaj është marrëveshja e Minskut është duke u krahasuar me marrëveshjen e Asociacionit dhe në bazë të ministrit Lavrov, të drejtat që i jep Asociacioni janë të përafërta me të drejtat që i jep marrëveshja e Minskut ndaj ‘Republikave të Donetskut dhe Luhanksit’ dhe çfarë është këtu shumë me rëndësi është se për dështimin që e cilëson ai të këtyre dy marrëveshjeve e akuzon Prishtinën për Asociacionin dhe Kievin për moszbatimin e marrëveshjes së Minskut dhe për më tepër e akuzon Bashkimin Evropian si fajtor kryesor për moszbatimin e tyre. Regjioni i Donetskut dhe Luhanskit nuk kanë ndonjë status legal të pranuar, po ashtu Asociaiconi ka komplet tjetër karakter, por këtë e bën Lavrovi për t’i dhënë alibinë aksioneve të mundshme serbe që kanë mundur të jenë të koordinuara para invazionit në Ukrainë”, ka thënë ai.
Sipas tij, politika ruse ndaj Ballkanit dhe qëllimi i saj është të ndryshojë kufijtë në bazë të linjave etnike, gjë që mundohet ta bëjë edhe në Ballkan. Ai tha se Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë në agjendën e Rusisë.