Bashëkryetari i Listës GUXO, Faton Peci, ka thënë se në takim me liderët e partive pati diskutime konstruktive nga disa akterë dhe u shpreh optimist se në javët në vazhdim do të ketë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.
“Duhet të vazhdojmë me tentativa të radhës në mënyrë që në javët e vazhdim të kemi Kuvend të konstituar. Ka pasur diskutime pozitive nga disa akterë. Nga natyra jam optimist se do të gjendet një zgjidhje”, ka thënë Peci.
Ai bëri të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë dy propozime, “të cilat do t’i tregojë vetë në konferencë”. Peci tregoi edhe një propozim që e ka dhënë vetë.
“Kam pasur propozim, të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve. Të kemi pako të marrëveshjes dhe jo pako të votimit të kryetarit dhe nënkryetarëve. Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk mund të tjetërsohet. Kryeministri në detyrë ka legjitimitetin më të madh. Në funksion të kësaj, të gjitha partitë duhet t’i thirrin arsyes”, shtoi ai.
E udhëheqësja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pretendimi i opozitës se votimi i fshehtë shkel Kushtetutën është i pasaktë.
“Në asnjërin nga paragrafët nuk është e specifikuar se mbarëvajtja e seancës konstituive ka shënuar shkelje kushtetuese”, ka thënë ajo.
