Arbëri

Peci: Kompensimi i dëmeve nga vërshimet pritet të bëhet në një nga mbledhjet e radhës të Qeverisë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se raporti final për dëmet nga vërshimet në Mitrovicë, Skenderaj, Istog e disa komuna të tjera është hartuar dhe është përcjellë në Ministrinë e financave.

Peci në një deklarim për media pas takimit që është zhvilluar në mes të Qeverisë dhe kryetarëve të komunave, ka thënë se pritet që në njërën nga mbledhjet e radhës të Qeverisë, këto dëme do të kompensohen.

“Sa i përket vërshimeve të fundit, në rast se aludoni te komuna e Mitrovicës, Skenderajt, Istogut e disa komunave të tjera, nga shtatori i vitit të kaluar Qeveria ka marrë vendim për themelimin e një sekretariati që funksionon brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme ndërsa ne si Ministri të linjës kemi nga një anëtarë. Tash e tutje kompensimet për të gjitha dëmet, për të gjitha veprimtaritë do të realizohen ose do të ekzekutohen përmes këtij sekretariati. E ne kemi informacion që tashmë ekziston një raport final dhe ai është dërguar në Ministri të Financave dhe pritet që në mbledhjet, njëra nga mbledhjet e radhës të Qeverisë që të kompensohen”, ka theksuar Peci.