Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Peci: Koha e fundit që Perëndimi të rirreshtohet ndaj Serbisë

Lulzim Peci, drejtor i Instituti KIPRED, ka thënë se situata e fundit në Ukrainë duhet të bindë Perëndimin që është koha e fundit që të rirreshtohet jo vetëm kundër Rusisë, por edhe ndaj Serbisë.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se kriza e Ukrainës ka shpërfaqur dështimin e politikës së Bashkimit Evropian që përmes përafrimit të Serbisë me Brukseli ta transformojë atë në një vend properëndimor.

“Tani kur erdhi momenti i së vërtetës, këtu më nuk ka dilema. Konceptet revizioniste të ‘botës ruse’ dhe ‘botës serbe’ dhe ideologjitë shtetërore të këtyre dy vendeve janë pothuajse të njëjta dhe këtë deri më tani e kanë neglizhuar si BE-ja ashtu edhe NATO-ja. Në vend të kësaj, Brukseli është marrë me ‘kapacitetet administrative’ të Serbisë, duke ia lënë duart e lira Beogradit në politikën e jashtme dhe të sigurisë, e cila asnjëherë që nga fillimi i të ’90-ave nuk ka pushuar të jetë burim i destabilitetit dhe konflikteve në rajon”, ka thënë ai. “Është koha e fundit që Perëndimi të rirreshtohet jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj Serbisë, për të mos lejuar që angazhimi i tij të kthehet në pikën zero, pas 30 viteve të investimeve madhore në paqen dhe sigurinë e Ballkanit”.