Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur të hënën Kryesinë e partisë dhe Grupin Parlamentar të saj për të diskutuar për zhvillimet aktuale në lidhje me situatën e krijuar në pjesën veriore të Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar nga PDK-ja thuhet se kjo parti vlerëson se tërheqja nga detyrat dhe përgjegjësitë institucionale të zyrtarëve të komunitetit serb, cenojnë sovranitetin juridik të shtetit dhe mbarëvajtjen e rendit publik.
“Në takim u rikonfirmua nevoja e veprimeve të përgjegjshme politike për ruajtjen e stabilitetit në vend, të cilat duhet të ndërmerren përmes koordinimit ndër-institucional dhe komunikimit ndër-partiak”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Partia më e madhe opozitare ka thënë se koordinimi mes Qeverisë dhe opozitës dhe harmonizimi i veprimeve institucionale, duke përfshirë edhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë, janë të domosdoshme.
“Me këtë rast, PDK shpreh gatishmërinë për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në kumtesën e PDK-së.