Arbëri

PDK-ja kritika Qeverisë: Ka braktisur qytetarët dhe u ka kthyer shpinën problemeve të tyre

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka hedhur kritika të ashpra për Qeverinë, duke e akuzuar se i ka braktisur qytetarët dhe u ka kthyer shpinën problemeve të tyre, në mes të një krize ekonomike në vend.

Përmes një njoftimi në Facebook të martën, Krasniqi ka thënë se PDK-ja do të punojë dhe të kërkojë nga Qeveria të jetë më afër qytetarëve në këtë periudhë të vështirë.

“Qeveria aktuale i ka braktisur qytetarët dhe ua ka kthyer shpinën problemeve të tyre. Duke rrënuar arritjet e deritashme, Qeveria ka imponuar stagnimin në të gjitha fushat, që ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve tanë”, ka shkruar Krasniqi.

Partia më e madhe opozitare ka thënë se do të angazhohet maksimalisht në të gjitha format dhe kapacitetet për të dhënë kontributin e vet në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.

“Në Kryesi, Kuvend dhe nëpër Komuna – Partia Demokratike e Kosovës do të punojë dhe kërkojë që shteti dhe Qeveria të jenë më afër qytetarëve në periudhën e tyre më sfiduese pas luftës, ndërsa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, kemi hartuar vizionin për qeverisjen e re të vendit, për të ardhmen e qytetarëve tanë, pa dallim”, ka shkruar tutje ai.

Në fund, PDK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë për trajtim dhe veprim emergjent për problemet socio-ekonomike që kanë kapluar vendin.

 

Së bashku me anëtarët e Kryesisë, deputetët e Grupit Parlamentar dhe Kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, dje...

Posted by Memli Krasniqi on Tuesday, September 6, 2022