Arbëri

PDK-ja e konsideron të dështuar arsimin në Fushë-Kosovë

Të dështuar e kanë vlerësuar arsimin në Fushë-Kosovë zyrtarët e Degës së PDK-së në këtë komunë. Nëpërmjet një konference për media, ata kanë thënë se zyrtarët e komunës, nuk kanë arritur të realizojnë as 50 për qind të programit në këtë sektor.

"Ishte një vit i vështirë për shkak të pandemisë, por edhe më të vështirë e bëri keqmenaxhimi i komunës në këtë situatë, ku u atakua i gjithë procesi mësimor. Si rezultat, viti shkollor 2020-2021 ishte më i dobët se ai vitit 2019-2020", thuhet në komunikatën për media.

Sipas PDK-së gjatë këtij viti shkollor pati papërgjegjësi e neglizhencë për ta zhvilluar një proces mësimor, sipas rekomandimeve të institucioneve dhe planit të Task Forcës.

"Pra pati dështim në menaxhimin e situatës dhe njëkohësisht dështim të mësimit online dhe atij të rregullt. Plani i Task Forcës mbeti vetëm në letër dhe nuk u funksionalizua asnjëherë, ndërkohë që situata kërkonte mobilizim dhe koordinim të shtuar në mes të komunës dhe shkollave. Mungesa e koordinimit të Task Forcës bëri që situata t'i lihej Covidit, ku pati mësimdhënës e nxënës të infektuar, e të cilët nuk ndodhen në asnjë statistikë dhe nuk raportohej fare për këto raste e për gjendjen në shkolla. Kjo e dëmtoi rëndë arsimin", thuhet tutje në komunikatë. "Komuna e Fushë-Kosovës nuk bëri as edhe një hap për të siguruar pajisje teknologjike për fëmijët me gjendje jo të mirë ekonomike të cilët nuk kishin mundësi të kyçeshin në mësimin online, sidomos fëmijët e komuniteteve pakicë, ku shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda. Sa i përket realizimit të plan programit për vitin shkollor 2020/21 ai nuk është realizuar as për së afërmi" është thënë në njoftimin e PDK-së.

Zyrtarët e PDK-së në Fushë-Kosovë kanë theksuar se ka pasur punësime duke i shkelur kriteret e konkursit.

"Sipas hulumtimeve të ekipit nga Dega e Partisë Demokratike në Fushë Kosovë, realizimi i plan programit është bërë në një përqindje të ulët. Pra, nuk është realizuar as 50 përqindëshi i plan programit mësimor. Dega e PDK-së pati reaguar përmes mediave se në shkollën 'Mihal Grameno', pati ndërprerje të mësimit për dhjetë ditë, ku kërkuam dorëheqjen e drejtorit të arsimit në komunë, Islam Shabani", kanë thënë zyrtarët e kësaj partie. "Një dukuri e vazhdueshme në Fushë-Kosovë, ishte mosrespektimi i kritereve profesionale në konkurset për mësimdhënës. Kjo ndodhi me konkurset për gjuhë anglezë, mësim klasor, psikologji etj. Në fakt arsimi në Fushë Kosovë ka qenë i atakuar me vite të tëra, ku në një klasë kanë mësuar deri 45 nxënës. Kjo ka ndikuar në rënien për çdo vit të cilësisë së arsimit".

Sipas PDK-së komuna nuk e ka mbajtur premtimin për ndërtimin e shkollave dhe nuk e ka menaxhuar situatën krahas rritjes së numrit të banorëve në Fushë Kosovë.

"Ndërkaq, po ashtu i atakuar mbetet edhe arsimi parashkollor, të cilin në këtë vit komuna e ka lënë anash krejt anash dhe nuk është marrë fare me këtë hallkë të rëndësishme të sistemit arsimor. Madje përfundimi i këtij viti shkollor e gjen dikasterin e arsimit në Komunë pa drejtor dhe pa ushtrues detyre, çka tregon papërgjegjësi dhe mënyrën si funksionon kjo qeverisje e dështuar në të gjitha aspektet".

Tutje thuhet se Fushë-Kosovës ka mësimdhënës të përgatitur të cilët në rrethana të tjera do të mund të tregonin suksese të mira.

"Por në një sistem të dështuar si kjo e qeverisjes komunale, nuk mund të presim rezultate të mira. Fushë-Kosova meriton një qeverisje ndryshe, një sistem arsimor që jep rezultate, jo i politizuar, me kuadro profesionale dhe të përgatitura, të pangarkuar me 45 nxënës në një klasë. Kjo qeveri nuk ka pasur vullnet tash e njëzet vjet që t'i eliminojë këto defekte të cilat janë tepër të dëmshme për arsimin" është thënë në njoftimin e PDK-së.