Në tri shkolla të Fushë-Kosovës gjatë gjithë gjysmëvjetorit të parë nuk ka pasur mësimdhënës për lëndët biologji dhe edukatë fizike. Rrjedhimisht, ata nuk kanë arritur të marrin njohuritë e duhura për këto lëndë, por në fund janë notuar. Zyrtarët e arsimit në këtë komunë thonë se mungesa e drejtorit komunal për një kohë të gjatë e ka vonuar edhe zgjedhjen e mësimdhënësve në këto lëndë
Disa shkolla të Komunës së Fushë-Kosovës po përballen me mungesë të mësimdhënësve.
Kështu, nxënësit e tri shkollave në fshatrat Miradi e Epërme, Grabovc dhe Henc gjatë gjithë gjysmëvjetorit të parë nuk i kanë mbajtur orët e biologjisë dhe të edukatës fizike.
Kjo, për shkak se Drejtoria e Arsimit në këtë komunë është vonuar në zgjedhjen e mësimdhënësve të rinj.
Këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlonjat Hasani, i cili është edhe banor i fshatit Miradi e Epërme, ka thënë se lënia e nxënësve pa mësimdhënës për kohë të gjatë është papërgjegjësi dhe mungesë e menaxhimit nga pushteti komunal.
“Konkretisht këtu në Miradi të Epërme problemet janë të theksuara në stafin arsimor. Për shembull, prej fillimit të vitit shkollor në shtator ka mungesë të arsimtarëve të edukatës fizike dhe të biologjisë e rrjedhimisht nxënësit kanë humbur mësimin. Por çudia është se ata nxënës janë notuar. Do të thotë, ata nxënës janë notuar por nuk e dimë mbi bazën e çfarë kriteri janë notuar kur nuk e kanë vijuar mësimin në këto lëndë përkatëse”, ka thënë Hasani.
Drejtori i kësaj shkolle, Rexhep Drenovci, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje. Ai ka thënë se kjo është kompetencë e Drejtorisë së Arsimit.
Ndërsa drejtori për Arsim në Fushë-Kosovë, Samir Shahini, ka thënë se në këso rastesh mbulimi i orëve është përgjegjësi edhe e drejtorëve të shkollave.
Ai thotë se kur ka ardhur në krye të DKA-së në muajin dhjetor, nxënësit i janë nënshtruar një mësimi intensiv me mësimdhënës të lëndëve përkatëse nga shkollat e tjera sa për t’i notuar.
“Unë nuk mund të vendos gishtin mbi asnjë si fajtor. Unë e përmenda që ka pasur ngecje në realizim të procedurave përbrenda Drejtorisë Komunale të Arsimit. Kjo ka qenë për shkak se Drejtoria nuk ka pasur drejtor për një kohë të gjatë, ose për pjesën më të madhe të vitit 2021 nuk ka pasur drejtor dhe kjo sigurisht shumë procese, jo vetëm këtu, i ka lënë mëngu. Unë flas vetëm për periudhën që jam në pozitë. Për periudhën që jam, mendoj që është bërë zgjedhja më e mirë në kushtet që i kemi gjetur”.
I pyetur nëse është e ligjshme një vlerësim e notim i tillë për nxënësit, Shahini ka thënë se paraprakisht e kanë konsultuar Zyrën Ligjore të Komunës.
Ai tha se tashmë është arritur që të zgjidhen me konkurs këta dy mësimdhënës, të cilët për shkak të normës duhet të punojnë në tri shkolla.
Por këshilltari Hasani ka thënë se Komuna ende nuk ka bërë zgjidhje afatgjatë për një mësuese klasore në shkollën e fshatit Miradi e Epërme.