Arbëri

Pushteti në Fushë-Kosovë akuzohet për mosfunksionalizim të mësimit parafillor

Në asnjë shkollë publike në qytetin e Fushë-Kosovës ka disa vjet që nuk funksionon mësimi parafillor.

Në mungesë të klasave, prindërit detyrohen që fëmijët t’i dërgojnë nëpër institucione private.

Drejtori për Arsim në këtë komunë, Samir Shahini, thotë se arsyeja pse nuk funksionon mësimi parafillor në Fushë-Kosovë është se fillimisht ka pasur mungesë të hapësirave shkollore, ndërsa tash ka mungesë të mësimdhënësve.

Sipas tij, tash për tash klasa për parafillorë kanë vetëm në shkollat e fshatrave Bardh i Madh, Sllatinë, Miradi e Poshtme dhe Lismir.

“Kam frikë se edhe në klasat e tjera që kanë mbetur funksionale, nëse vazhdon ky temp do të ndodhë e njëjta gjë, do të detyrohemi t’i mbyllim, siç kemi vepruar edhe në shkollën në Bardh të Vogël, që është mbyllur për t’i sjellë ata pak mësimdhënës në qytet, ata pak mësimdhënës që kemi arritur t’i nxjerrim nga risistemimi”, tha Shahini.

Shahini ka thënë se për shkak të mungesës së mësimdhënësve në arsimin 1 deri 9, mësimi parafillor konsiderohet luks në Fushë-Kosovë.

Opozita në këtë komunë e ka fajësuar ekzekutivin për moshapjen e këtyre klasave.

“Ka disa vjet që diskutojmë për këtë problem, mirëpo Komuna prapëseprapë nuk ka mundur të japë zgjidhje për shumë arsye. Problemi është që nxënësit janë të vetmit ata që po penalizohen, sepse pa një mësim parafillor, sigurisht që kanë mangësi kur fillojnë klasën e parë”, tha Mirsad Qyqalla, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë.

“Kjo është e rregulluar edhe me normativa ligjore edhe ku thuhet decidivisht që në momentin kur ata e sigurojnë buxhetin-komuna e siguron buxhetin, atëherë janë të obliguar që ta funksionalizojnë mësimin parafillor. Ne siç e dimë, Komunës së Fushë-Kosovës i kanë tepruar mbi 5 milionë euro nga buxheti i vitit të kaluar”, tha Vlonjat Hasani, këshilltar komunal i VV-së në Fushë-Kosovë.

Hasani ka theksuar se nëse ekzekutivi i Fushë-Kosovës do ta bënte regjistrimin e të gjithë banorëve që jetojnë në këtë komunë, atëherë do të mund të rriteshin edhe normat e mësimdhënësve dhe rrjedhimisht do të mund të hapeshin edhe klasat për parafillorë.