Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja e LDK-ja i reagojnë Qeverisë për inflacionin: Nuk është ulur, është ngadalësuar

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar pas deklaratës së Qeverisë se është ulur.

Koordinatori për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa ka thënë se është qesharake prirja e eksponentëve të partisë në pushtet për t’u krenuar me rënien e normës së inflacionit.

Sipas tij, kur inflacioni arrinte norma dyshifrore Qeveria arsyetohej se kjo është jashtë mundësisë së tyre për të bërë diçka, ndërsa tani sipas tij, zvogëlimin e normës së inflacionit po duan t’ia atribuojnë vetes.

“Megjithatë, mos të harrojmë se zvogëlimi i normës së inflacionit nuk nënkupton rënie të çmimeve, por ngadalësim të ritmit të rritjes së mëtejme të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Çmimet e shumë produkteve bazike kanë vazhduar të rriten edhe gjatë kësaj periudhe. Për shembull, krahasuar me qershor 2022, çmimet e perimeve janë rritur për 22.5%, pemët 11,5%, qumështi, djathi dhe vezët 10.8% e kështu me radhë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq Berat Rukiqi nga LDK-ja ka thënë se inflacioni është ngadalësuar dhe çmimet nuk janë ulur.

Ai ka shtuar se disa çmime si ato të naftës dhe disa produkteve ushqimore janë duke u rritur.

Edhe LDK: Deklaratat e fryra të Qeverisë bien në kundërshtim me realitetin që e jetojmë Arbëri LDK: Deklaratat e fryra të Qeverisë bien në kundërshtim me realitetin që e jetojmë

“Manipulimi statistikor nuk ka të ndalur. Një shifër të ngadalësimit të inflacionit, në një muaj të vetëm, Qeveria po e quan sukses. Kur inflacioni shënonte shifra rekord, ndër më të lartat në botë, Qeveria e trajtonte si problem global dhe jo si problem të brendshëm. Me kokëfortësi dhe arrogance refuzonte çdo propozim për zbutje të problemit të rritjes së çmimeve. Edhe një masë të ndërmarrë, intervenimin në rezerva shtetërore, e ka bërë keq, e ka bërë duke i vjedhur të njëjtat”, ka thënë ai.

Ai tutje i ka quajtur qeveritarët “të paditur, mashtrues dhe hajna”.