Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK: Dimri po vjen, edhe me terr edhe me tarifa të larta

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka kërkuar përgjegjësi e llogaridhënie nga Qeveria Kurti për siç e ka quajtur ai, paaftësi të menaxhimit të krizës energjetike, e cila sipas tij, ka ndikuar që nga e hëna, qytetarët e Kosovës të përballen me reduktime të energjisë.

Në një konferencë, të hënën, Nikaj tha se kjo situatë 6 orë me rrymë dhe 2 pa rrymë në mes të gushtit është "dështim kapital i logjikës rrugë pa krye” të Kurtit, që ka imponuar edhe çmim më të lartë për rrymë edhe reduktime.

“Fatkeqësisht, në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, siç është qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit, i cili, për faktin që po ndodhë tash kur nuk është dashur as të paramendohej, rrezikon të bëhet normë, atëherë kur edhe mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit”, tha ai.

Sipas Nikajt, terri me të cilin "po shërbehen" qytetarët e Kosovës, është produkt i një dështimi sistematik e kardinal disa mujor të menaxhimit të KEK-ut nga ana e Qeverisë.

“Korporata Energjetike e Kosovës është po e njëjta Korporatë, e cila veçmas në muajt e verës, me kapacitetet e veta prodhuese arrin të mbulojë nevojën e konsumit të energjisë, pa pasur nevojë për reduktime. Megjithatë, ja që me 15 gusht të 2022-s, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Prandaj, përgjegjës për këtë situatë, nuk janë punëtorët e KEK-ut. Përgjegjës për këtë situatë, është një faktor tjetër dhe ajo është Qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si ta menaxhojë sektorin energjetik, e ka pru punën që ta ringjallë nga harresa kolektive, doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, theksoi Nikaj.