Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK: Dështimet e brendshme të Kurtit s’mund të mbulohen me dialog

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se Qeveria nuk mund t’i mbulojë dështimet në qeverisjen e brendshme me procesin e dialogut. Por përkundër kësaj, Pajaziti ka thënë se si opozitë nuk do t’i bëjnë presion ekzekutivit për dialogun, pasi e konsiderojnë si çështje me interes kombëtar përpara atij partiak.

Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së të premten, anëtari i PDK-së ka thënë se akterët politikë në Serbi nuk është janë shembull që duhet ndjekur, pasi sipas tij, e shfrytëzojnë çështjen e Kosovës për fuqizim të brendshëm politik.

“Dështimet e qeverisjes së brendshme nuk munden të mbulohen me dialog. Një rast të tillë e kemi Serbinë, krejt dështimet e tyre me atë nivel demokracie, me arrit me e kthye fuqinë politike me çështjen e Kosovës, është rast që nuk duhet ta ndjekë Kosova. Përkundër presionit të votuesve tanë, jemi të interesuar që të mos i bëjmë presion kryeministrit dhe Qeverisë sepse është koha për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. I ka votat dhe ligjshmërinë qytetare”, ka thënë Pajaziti.

Pajaziti ka thënë se e kanë mirëpritur arritjen e marrëveshje për çështjen e targave ditë më parë në Bruksel, por ka shtuar se janë të shqetësuar për pasojat.

“E kemi mirëpritur zhbllokimin e kësaj situate që është krijuar. Tash kemi në horizont një situatë të re, por pasojat nuk janë zhdukur fare. Edhe ne i gëzohemi qasjes konfliktuoze, por ne jemi të shqetësuar për pasojat, siç është largimi nga institucionet të përfaqësuesve serbë”, ka deklaruar Pajaziti.

Pajaziti është shprehur se Qeveria duhet t’i sqarojë disa paqartësi që janë krijuar në terren, siç është ajo se çfarë plani ka pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës. Ka shprehur bindjen se nëse do të mbahen zgjedhjet pa partitë serbe në veri, pushteti lokal atje do të mbetet vakant.

Edhe Kurti: Komunikimet me partitë do t’i nisim pas certifikimit të rezultateve LAJMET E MBRËMJES 1 muaj më parë Kurti: Komunikimet me partitë do t’i nisim pas certifikimit të rezultateve

“Çka na duhet neve gara mes partive shqiptare atje. Ose duhet t’i nxisim të marrin pjesë në zgjedhje të gjithë që jetojnë në atë pjesë. E kemi parasysh çfarë ndikimi ka Lista Serbe dhe Beogradi atje. S’ka asgjë pozitive kur diskutohet se a duhet të kthehen në institucione. Ky është dëm që duhet të sqarohet nga kjo Qeveri se si e ka bërë. Ndoshta e kanë një strategji që ne nuk e dimë. Por diskutimi i tillë na kthen shumë mbrapa”, ka theksuar anëtari i partisë më të madhe opozitare.

Pajaziti ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të ketë fokus më të madh, transparencë më të madhe dhe të jetë i interesuar në interesat themelore të vendit në procesin e dialogut.