Partia Demokratike e Kosovës e ka përsëritur qëndrimin se është i papranueshëm çfarëdolloj statuti i cili parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me “idealet themeluese të Republikës së Kosovës”, por që të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet, të mos krijojë nivel të ri pushteti dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.
Pas takimit që kryetari i saj, Memli Krasniqi, ka zhvilluar me kryesinë, deputetët dhe kryetarët e degëve nga partia e tij, ai ka kritikuar Qeverinë për mostransparencë mbi dialogun.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të njoftohen zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës për përmbajtjen e dokumentit që e ka pranuar, si dhe duhet ta dinë se deri në çfarë mase drafti i statutit të Asociacionit do ta ndryshojë rregullimin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit tonë”, ka thënë Krasniqi.
Gjatë takimeve u tha se regresi ekonomik, sanksionet ndërkombëtare dhe përkeqësimi i mirëqenies së qytetarëve janë vetëm disa nga pasojat, krahas dështimit në dialog, “si rezultat i keqqeverisjes, arrogancës dhe aferave të vazhdueshme korruptive të zyrtarëve qeveritarë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
-
Krasniqi: Do ta ndryshojmë Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit
-
Krasniqi: Bojkoti i rezolutës për Policinë, papërgjegjësi e plotë politike
-
PDK-ja paralajmëron reagim politik e qytetar nëse zgjidhet presidenti ndesh me Kushtetutën
-
PDK mbledh kryesinë: Po rrezikohet rendi kushtetues
-
Krasniqi pret që pas takimeve të presidentes të sqarohet “a ka lëvizur VV-ja nga kryeneçësia”