Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PD-ja mban Kuvendin Kombëtar, zgjedhjet për kryetar më 22 maj

Partia Demokratike pritet të bëhet me kryetar të ri në fund të majit. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, është vendosur që zgjedhjet për kryetar të mbahen më 22 maj. Deri atëherë, kjo parti do të drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit.

Mbledhja e mbajtur të shtunën, ka rikthyer figurat e dikurshme të PD-së. Jozefina Topalli është njëra prej tyre.

Teksa mori fjalën, ish-kryetarja e Kuvendit u shpreh e emocionuar me rikthimin e saj, derisa ka shtuar se nuk është larguar asnjëherë nga Partia Demokratike.

Ajo ka thënë se para vitit 2005, kur PD-ja asokohe ishte në opozitë, askush nuk i quajti opozitë e rremë, teksa ka shtuar se nuk e mendonte se një opozitë mund të korruptohej apo t’i digjte mandatet.

“Para vitit 2005, askush nuk na quajti opozitë e rremë, nuk e mendonim se mund të korruptoheshe në opozitë. Nuk vinim gjoba, nuk shisnim misionin e opozitarizmit, nuk këmbenim me zarfe vendet e deputetëve, nuk digjnim mandatet, nuk u iknim përgjegjësive dhe nuk imagjinonim t’u hidhnim gaz mbështetësve tanë”, ka deklaruar ish-kryeparlamentarja.

Edhe PD-ja më 13 qershor mban zgjedhjet e brendshme për kryetar të ri Arbëri PD-ja më 13 qershor mban zgjedhjet e brendshme për kryetar të ri

Ajo ka shtuar se PD-ja ka heshtur edhe kur “tatëpjeta e saj mori vrapin”.

Me duartrokitje është pritur dalja në skenë e Sali Berishës. Por, ajo nuk kaloi pa telashe, pasi kryetari historik i PD-së u rrëzua teksa ngjitej shkallëve të skenës.

Berisha ka thënë se pavarësisht problemeve që kanë pasur, Partia Demokratike nuk do të vdesë kurrë.

“Ne u rithemeluam sepse kulti ynë është vota e lirë, thelbi i integritetit tonë është liria. Për demokratët shqiptarë do të vendosin vetëm ata me votën e tyre të lirë. Siç u përmbyt diktatura më e egër e Evropës, do të përmbysim tiraninë e narkoshtetit, e baronëve të drogës së kryesuar nga Edi Rama. Rruga e rithemelimit ishte një rrugë që na u imponua. Kjo rrugë jetike dhe shpëtimtare për ne dhe demokracinë e vendit u imponua se në 8 vjet po kalonim nga disfata në disfatë, nga zhgënjimi në zhgënjim, për shkak të një drejtuesi të papërgjegjshëm, e cili e ktheu partinë në sipërmarrjen e tij private”, ka thënë ai.

Edhe Berisha rizgjidhet në krye të PD-së, merr 96 për qind të votave Arbëri Berisha rizgjidhet në krye të PD-së, merr 96 për qind të votave

Berisha nuk ka lënë pa përmendur edhe shpalljen non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa ka shtuar se për akuzat, Departamenti Amerikan nuk ka asnjë provë apo dokument.

Zgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Demokratike vjen pas dorëheqjes së Lulzim Bashës e problemeve që ka pasur ai në krye të PD-së, që nga përjashtimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nga Grupi parlamentar e nga vetë partia.