Arbëri

Pastrohet deponia më e madhe në Rajonin e Pejës

Vullnetarët e “Let’s Do It” iu kanë bashkuar aksionit për pastrimin e deponisë më të madhe të mbeturinave në Rajonin e Pejës, e cila gjendet në fshatin Dydesh – në zonën ku ndahen Komuna e Pejës dhe ajo e Istogut.

Në një komunikatë për media nga “Let’s Do It”, thuhet se pastrimi i kësaj deponie ka filluar dje me makineri, ndërsa do të vazhdojë edhe nesër, deri në eliminimin e tërësishëm të mbetjeve aty.

Aksioni për pastrimin e deponisë më të madhe në Rajonin e Pejës është mbështetur financiarisht nga Komuna e Pejës dhe ajo e Istogut, derisa “Let’s Do It” ka ofruar një sasi derivatesh për makinerinë që do ta kryej pastrimin në atë zonë.

Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj kërkoi edhe njëherë nga qytetarët që të mirëmbajnë këtë hapësirë, edhe për shkak të rëndësisë së veçantë që ka ajo. Derisa, bëri të ditur se e njëjta hapësirë pas pastrimit, do të rrethohet, e më pas edhe do të gjelbërohet.

“Është kënaqësi me qenë në Istog, përkatësisht në zonën ku ndahet Istogu me Pejën. Sot këtu po ndodh ajo që duhet të ndodh jo vetëm në Istog, Pejë, por në tërë Kosovën, ku të gjithë bëhemi bashkë për një të mirë të përgjithshme. Pra, shoqëria civile, institucionet, mediat, vullnetarët të gjithë janë mbledhur që të japin kontributin e tyre që kjo hapësirë, e cila ka edhe një simbolikë tjetër për të dy komunat, pasi që këtu kanë qenë edhe shtigjet e luftës, dhe kjo zonë vizitohet prej shumë njerëzve, andaj nuk është imazh i mirë as për Istogun, as për Pejën që t’i shohim pamjet e tilla, andaj unë sot uroj dhe shpresoj që do të jetë hera e fundit që ne vijmë këtu me pastru. Kjo hapësirë pasi të pastrohet, do të rrethohet e më pas edhe do të gjelbërohet”, ka thënë Hasanaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova tha se komuna që ai udhëheq do të vazhdojë bashkëpunimin në projekte të tilla për pastrim.

Aksionit iu bashkua edhe Xhavit Gashi, Gjeneral Brigade i FSK-së i pensionuar dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Iowa, tani në pension. Gashi premtoi se do të vazhdojë të mbështes aktivitete të tilla për një Kosovë të pastër.

Në zonën mes Komunës së Pejës dhe asaj të Istogut, në fshatin Dydesh, gjenden dy deponi të mëdha. Njëra është në zonën me Istog, ndërsa tjetra me Pejë.

{gallery}