Mbi 200 thasë me mbeturina janë mbledhur nga dhjetëra vullnetarë sot, që iu bashkuan aksionit të pastrimit te “Lagjia e Boshnjakëve” në Mitrovicë, nga cila zonë për më shumë se 10 ditë radhazi janë larguar rreth 600 kamionë me mbetje të ndryshme nga disa deponi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Aksioni i sotëm u realizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, ndërsa zgjati disa orë, transmeton Koha.net.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërveç ekipit të Let’s Do It Kosova, aksionit iu bashkua edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe zyrtarë të tjerë nga MMPH, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe zyrtarë të tjerë komunal, si dhe disa punëtorë të kompanisë ETC.
Edhe në aksionin e sotëm u bë thirrje që qytetarët ta rrisin vetëdijen e tyre për kujdesin ndaj mjedisit dhe të parandalojnë krijimin e deponive të tilla të mbeturinave nëpër zona të banueshme, pasi u rrezikohet edhe shëndeti.
Po ashtu, nga institucionet sërish u kërkua që të vazhdojnë me gjobitjen e ndotësve, në bazë të legjislacionit në fuqi, si masë parandaluese për ndotjen e hapësirave publike.
Përveç aksionit në Mitrovicë, i cili rezultoi me pastrimin e katër deponive, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot u pastruan edhe tri deponi të tjera me makineri në rrugën Prishtinë – Pejë.
Kjo Fushatë do të vazhdojë në tërë Kosovën deri me 15 dhjetor, ku nga 15 shtatori e deri më tani janë pastruar rreth 600 deponi ilegale të mbeturinave.
Po ashtu, edhe sot ka vazhduar në Viti trajnimi “Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor”, organizuar nga Let’s Do It, ku morën pjesë 35 mësimdhënës.
Ky trajnim që u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Viti, synon rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor.