Arbëri

“Pas zgjedhjeve, do të bien muret mes partive”

kuvendi

Foto: Driton Paçarada

“Muret do të bien pas zgjedhjeve të ardhshme” kanë vlerësuar analistë politikë në Kosovë, tek kanë komentuar çështjen se a rrezikon Kosova të shkojë në dy palë zgjedhje të parakohshme për Kuvend në dhjetor dhe më pas edhe në pranverë për shkak të mungesës së mundshme të shumicës për të zgjedhur presidentin.

Analisti politik Basri Muja ka thënë se pret që te të gjitha partitë të bien muret. Sipas tij “ato e kanë kuptuar se është e pamundshme që të krijohen shumica stabile për të qeverisur me vendin posaçërisht, kur kemi parasysh zgjedhjen e presidentit në pranverë”.

Në këtë rast, ai ka thënë se pas zgjedhjeve të ardhshme nuk do të konsiderohej befasi as një koalicion mes partisë së parë dhe të dytës. Ai ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme pret që të ketë zbutje të gjuhës, por jo koalicione parazgjedhore.

“Pres koalicione paszgjedhore. Madje të mëdha. S’do të befasohesha as nga koalicioni i partisë së parë me të dytën. Varet nga diferenca mes të dytit dhe të tretit. Nuk pres t’i kemi dy palë zgjedhjesh. Do të ketë shumicë për ta kaluar këtë gjendje”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.  

Koalicione dhe sigurimin e shumicës pas zgjedhjeve të ardhshme pret edhe analisti tjetër Arbnor Sadiku. Në “Interaktiv” ai ka thënë se dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të jenë të gatshme të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje që në shkurt doli e para.

“Nuk ka tjetër opsion për t’u siguruar numrat për presidentin. Është i domosdoshëm. Është problematike që pa VV-në, opozita t’i zgjedhë tri pozitat. Absolutisht pritet të bien muret që janë krijuar mes partive. Edhe në të kaluarën ka pasur rivalitete mes partive, por është dashur të bashkëpunohet për institucionet”, ka thënë ai.

Kosova është me qeveri në detyrë që nga shkurti kur u mbajtën zgjedhjet. Nga ajo kohë, Lëvizja Vetëvendosje si fituese me 48 deputetë ka dështuar ta sigurojë shumicën për të formuar Qeverinë. Fillimisht ngërçi u shkaktua te emri i kryeparlamentarit e para rreth tri javësh, Albin Kurti dështoi ta marrë shumicën si i mandatuar për kryeministër. Pas tij, presidentja Vjosa Osmani e mandatoi edhe Glauk Konjufcën e VV-së që ligjërisht ka të drejtë vetëm deri më 19 nëntor që ta prezantojë në Kuvend ekipin me të cilin synon të qeverisë. Megjithatë, edhe për të partitë e tjera shqiptare në Kuvend kanë thënë se nuk kanë votë pro. Nëse edhe ai dështon, Kosova shkon automatikisht në zgjedhje që do të mbahen në njërën nga të dielat e dhjetorit.