Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas takimit me presidenten, Kurti: Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula ka pritur në takim të enjten kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit, Kurti ka thënë se institucionet duhet të punojnë bashkë për “shumë sfida shtetërore”. 

Kurti ka shtuar se pas bllokadës politike të gjatë, Kosova s’ka më kohë për të humbur. 

“Takimi i parë me presidenten dhe mikpritje e zotim për punë të mëdha e të përditshme për interesin e gjithë qytetarëve, pa dallim. E falënderova shumë, e cila na nderoi me pranimin e saj të kandidaturës. Tash na presin shumë punë. Kosova, më në fund, pas më shumë se një viti ka institucione funksionale dhe tash nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, deklaroi Kurti.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e vendit me 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Shiroka-Pula në vizitën e parë të saj pas marrjes së detyrës ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.