Gati gjysma e Prishtinës ka mbetur pa ujë pas shpërthimit të gypit magjistral që lidh kryeqytetin me liqenin e Badovcit, raporton KTV.
Për disa orë, edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës është përballur me këtë problem. Ndërsa deri në zgjidhjen e problemit, reduktime do të ketë në disa lagje të kryeqytetit.
Një pëlcitje e gypit magjistral, që lidh liqenin e Badovcit me rezervuarin e ujit në lagjen Velania, të mërkurën, ka lënë pa ujë gati gjysmën e Prishtinës.
Që nga mëngjesi, ekipet e ujësjellësit kanë nisur punën për sanimin e problemit – në afërsi të rrethrrotullimit të Matiqanit.
Për disa orë – derisa është bërë një zgjidhje alternative – Qendra Klinike Universitare e Kosovës është furnizuar me ujë vetëm nga autocisternat.
Deri në sanimin e prishjes në gypin 650-milimetërsh, disa lagje të kryeqytetit do të përballen me reduktime.
Edhe
Disa zona në Prishtinë mbesin pa ujë
“Zona e Dodonës, pjesa te shkolla normale dhe Sofalia, Aktashi dhe Lagjja e Muhaxherëve, një pjesë e Bregut të Diellit dhe disa zona përreth nuk do të mund të kenë furnizim konstant.”
Xhafa ka thënë se do të vazhdojnë me punë intensive që deri në orët e vona të së mërkurës ose më së largu të enjten, të zgjidhin këtë problem.