Disa lagje në kryeqytet kanë mbetur pa ujë të pijshëm për shkak të dëmtimit të një gypi.
Sipas njoftimit nga KRU “Prishtina” sot në mëngjes është dëmtuar gypi i ujit me diametër fi 300 mm në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.
“Ekipet e mirëmbajtjes dhe operimit të KRU ‘Prishtina’ sh.a. janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me sanim”, thuhet në njoftim.
Pa furnizim me ujë të pijshëm lagjja Pejton, lagjja Dardania, një pjesë e lagjes Lakrishte dhe një pjesë e lagjes Kalabria në Prishtinë.